​Dy të akuzuarit për sulmin në Banjskë mbrohen në heshtje, i treti deklarohet më 18 mars

Dy të akuzuarit për rastin Banjska, Blagoje Spasojeviq dhe Vladimir Toliq kanë vendosur të mbrohen në heshtje. I treti, Dushan Maksimoviq kërkoi që të deklarohet në një seancë tjetër, me arsyetimin se ka nevojë për konsultime me mbrojtjen e vetë, gjë që u aprovua nga trupi gjykues.

Avokati i tij, Ljubomir Pantovic tha se klienti që ai e përfaqëson do të mbrohet në heshtje.

“Ai do të mbrohet në heshtje kështu që nuk do të deklarohet në këtë shqyrtim”, tha ai.

Atë që e tha avokati Pantoviq e mbështeti edhe i akuzuari.

“E nderuar gjykatë siç ka thënë avokati do ta shfrytëzoj të drejtën time dhe do të mbrohem në heshtje”, theksoi ai.

Në heshtje vendosi të mbrohet edhe Vladimir Toliq dhe këtë e bëri të ditur avokati i tij, Millosh Deleviq.

“Edhe i mbrojtur im Vladimir Toliq do t’i shfrytëzoj të drejtën ligjore të mos jep mbrojtjen pas këshillit me mua si mbrojtës i tij”, u shpreh avokati Toliq.

Edhe vetë Toliq e deklaroi të njëjtën gjë.

“unë pajtohem me avokatin tim dhe do ta shfrytëzoj të drejtën ligjore që të mbrohem në heshtje”, theksoi ai.

Por, ndryshe nga këta dy, i akuzuari i tjetër Dushan Maksimoviq pritet të mbrohet karshi akuzave me të cilat e ngarkon Prokuroria Speciale, në një seancë tjetë dhe këtë e konfirmoi avokatja e tij, Jovana Filipoviq.

“Dushan Maksimoviq do ta jap mbrojtjen e tij para gjykatës, mirëpo ne për sot nuk mund ta bëjmë sepse Dushani nuk ka mund të njoftohet me shkresat e lëndës prandaj propozoj që me mundësi ta shohim materialin dhe qendrën e paraburgimit dhe Dushani në seancën tjerë ta jep mbrojtjen e tij dhe të deklarohet”, tha avokatja.

Vetë Maksimoviq tha se e ka të domosdoshme që të njoftohet me disa video-incizime dhe më pastaj të jap mbrojtjen në një seancë tjetër.

“Mendoj se është e domosdoshme që unë të njoftohem me video incizime dhe proceset e dorëzuar ashtu që të deklarohemi me një seancë tjetër”, deklaroi i akuzuari Maksimoviq.

Pas këtyre deklarimeve, kryetari i trupit gjykues, Ngadhnjim Arrni e aprovoi kërkesën e mbrojtjes së Dushan Maksimoviq që seanca e sotme të ndërpritet, ndërsa e caktoi tjetrën, në të cilin i akuzuari do ta mbrojë veten, për 18 mars.

E sa i përket dhënies së fjalëve përfundimtare në këtë proces gjyqësor, Arrni tha se seancat për to do të mbahen më 15 dhe 20 prill 2025. Sipas tij, të gjitha palët do t’i kenë në dispozicion nga 1 orë e gjysmë për t’i paraqitur argumentet e tyre.

“Meqenëse rasti është voluminoz po ia paralajmërojmë që fjalën përfundimtare të gjithë, ndërsa do të keni një periudhë kohore po vlerësojmë orientimisht që do të jetë 1 orë e gjysmë secili veç e veç për të bërë përmbledhjen e fjalës përfundimtare”, tha Arrni.

Gjatë seancës së sotme Naim Rudari, avokat i zyrtarëve policorë Alban Rashiti dhe Çlirim Shaqiri, paraqiti si prova raporte mjekësore dhe fotografi që sipas tij, dëshmojnë se Alban Rashiti ka pësuar lëndime fizike, por edhe psikike nga sulmi terrorist në Bansjkë, në shtator të vitit 2023.

Ai kundërshtoi edhe një provë të paraqitur në seancën e djeshme nga mbrojtja e Blagoje Spasojeviq ku ishte një raport se ky i akuzuar është teknik mjekësor, për çfarë ka Rudari deklaroi se i akuzuari nuk u arrestua si teknik mjekësor, por i veshur me uniformë të gjelbër e me armë automatike në dorë.

Rudari shtoi se Spasojeviq dhe dy të akuzuarit tjerë nuk shëronin plagë, por i shkaktonin ato.

“Ne kemi disa prova unë për të dëmtuarin Alban Rashiti edhe vetë i dëmtuar Çlirim. Kemi disa raport e mjekësore po ashtu edhe fotografi të plagëve që ka pësuar ditën kritike pra nga sulmi terrorist Alban Rashiti e që këto plagë ka pësuar njëkohësisht tani heroi Afrim Bunjaku pësoi plagë vdekjeprurëse që janë shkaktuar nga grupi terrorist që pjesë e të cilit ishin edhe tre të akuzuarit që janë këtu në sallë. Mbrojtësi i të akuzuarit Blagoje Sposojeviq na dorëzoi dje një diplomë për të akuzuarin Blagoje Spsojeviq se ai është teknik mjekësie por ne kemi prova të mjaftueshme që Blagoje Spasojeviq në Banjska nuk u arrestuan anën mantelin e bardh të teknikut por u arrestua në uniformën e gjelbër ushtarake i pajisur me armë automatike e në gjoksore që mbante në gjoks kishte edhe katër karikator. Pra, Blagoje Spsojeviqë dhe të akuzuarit të tjerë nuk ishin që shëronin plagë, por që shkaktonin plagë…Alban Rashiti nga plagët që ka pësuar akoma është në trajtim dhe pushim mjekësor duke mos pas mundësi që ta vazhdoj punën e tij dhe në do t’i dorëzojmë gjykatës dhe palëve të dëshmojnë për plagët fizike duke mos harruar edhe plagët psikike që janë të shumta dhe besojmë të pashërueshme“, tha ai.

Gjatë seancës së të premtes, trupi gjykues aprovoi administrimin e të gjitha provave të propozuara nga prokurori special, Naim Abazi, ndërsa konfirmoi ligjshmërinë e këtyre provave. Po ashtu, aprovoi edhe disa prova të propozuara nga mbrojtja e të akuzuarve.

Në seancën gjyqësore të mbajtur një ditë më parë, të enjten, prokurori i rastit, Naim Abazi kishte propozuar administrimin e disa provave, përfshirë dy raporte përmes ndihmës juridike ndërkombëtare nga SHBA me të dhëna elektronike nga Meta dhe Google.

“Administrohen provat e propozuara nga prokuroria Speciale të paraqitura në seancën e djeshme sa i përket ligjshmërisë së ngritur nga mbrojtja lidhur me ekzaminimin e telefonave trupi gjykues ka vlerësuar se të njëjta janë të ligjshme bazuar në vendimin e Gjykatës së Apelit e që nënkuptohet se kjo gjykatë zbaton vendimet në aspektin e ligjshmërisë nga gjykatat më të larta. Administrohen të gjitha provat e propozuara nga avokatit, Lubomir të prezentuara në seancën e djeshme, aprovohet propozimi i i avokates Jelena që në cilësi të provës materiale dëshmia e dëshmitarit të aprovuar nga kjo gjykatë që nuk ka mund të jetë për shkaqe shëndetësore të jetë në seancës për faktin se vetë mbrojtja ka vlerësuar se kjo deklaratë e dhënë në polici është e mjaftueshme për nevojat dhe pretendimet e mbrojtjes”, tha ai.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës më 11 shtator 2024 ka ngritur aktakuzë kundër Milan Radoiçiqit dhe 44 personave tjerë për sulmin terrorist të 24 shtatorit 2023 në Banjskë të Zveçanit. Në këtë ngjarje mbeti i vrarë rreshteri policor, Afrim Bunjaku ndërsa disa tjerë u lënduan. Po ashtu, të vrarë mbetën edhe tre pjesëtarë të grupit terrorist./kp

Back to top button