Dy të arrestuar për mashtrim me viza pune
Janë arrestuar dy të dyshuarit për mashtrim me viza pune, nga një rast i hapur që nga qershori i vitit 2021.
Prokuroria Themelore në Prizren ka njoftuar se që nga muaji qershor i vitit 2021, ka qenë duke u hetuar një rast i mashtrimit nga një agjensi punësimi e krijuar kinse për t’i pajisur qytetarët e Kosovës me viza pune për në Kroaci e Gjermani.
Dje, (19 janar) është arrestuar njëri nga të dyshuarit i cili ishte duke u kërkuar me urdhërarrest dhe në bazë të deklaratës së tij është arrestuar edhe personi i dytë, nën dyshimin e kryerjes së veprës penale “Mashtrim”.
Siç bëhet e ditur në komunikatë, të dyshuarit me dashje dhe me anë të paraqitjes së rreme të fakteve, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vetën, i kanë mashtruar personat e tjerë.
“Këta të pandehur dyshohen se me dashje dhe me anë të paraqitjes së rreme të fakteve, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për veten, i mashtrojnë personat tjerë dhe me këtë i nxisin të dëmtuarit që të kryejnë veprime në dëm të pasurisë së tyre, në atë mënyrë që të pandehurit me qëllim të përfitimit pasuror më datë 22.10.2020 krijojnë biznesin “Timi & Zaimi”, si agjenci punësimi, kinse për pajisjen e qytetarëve të Kosovës me viza pune për në Kroaci dhe Gjermani, nga të cilët kërkojnë plotësimin e dokumentacionit dhe si kundërvlerë paraprake marrin parapagime nga të dëmtuarit në shuma të ndryshme të të hollave”, bëhet e ditur në komunikatën e lëshuar për media.
Numri i të dëmtuarëve deri më tani është shumë i madh, ka njoftuar Prokuroria.
“Deri në këtë fazë, prokuroria ka arritur të sigurojë disa prej të dëmtuarve të këtij rasti, mirëpo duke pas parasysh provat e grumbulluara deri në këtë fazë, rezulton se numri i të dëmtuarve është tejet i madh, andaj Prokuroria bënë thirrje tek të gjithë qytetarët që janë pre e këtij mashtrimi që të lajmërohen në Prokurorinë Themelore të Prizrenit”, bëhet e ditur tutje në komunikatë.
Ndryshe, Prokuroria, ka lëshuar aktvendim për ndalim 48 orësh për dy të pandehurit, si dhe ka parashtruar kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të njëjtëve./21Media