Dy të vdekur nga aksidenti në Astrazup të Malishevës

Dy persona kanë humbur jetën e dy të tjerë kanë pësuar lëndime, si pasojë e një aksidenti të trafikut në mes të dy veturave në fshatin Astrazup të Malishevës të premten pasdite.

Rastin për portalin rtv21.tv e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj.

“Sot rreth orës 15:50, në fshatin Astrazup të Malishevës (rruga Malishevë-Rahovec) është raportuar një aksident trafiku në mes të dy automjeteve. Në vendin e ngjarjes menjëherë kanë dalë njësitet e nevojshme policore dhe ekipi i ndihmës së shpejtë, ku nga personeli mjekësor është konstatuar vdekja e dy personave të rritur (një femër dhe një mashkull), ndërsa dy persona të tjerë janë dërguar për trajtim mjekësor”, ka thënë Elezaj.

Ai po ashtu ka bërë të ditur se në konsultim me prokurorin, trupat e viktimave do të dërgohen për ekzaminim mjekoligjor.

Elezaj tutje tha se Njësia Rajonale e Komunikacionit Rrugor, në koordinim me prokurorin e shtetit, janë duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për të zbardhur rrethanat që kanë dërguar deri te ky aksident./21Media

Back to top button