Dy vajzat në Kaçanik dyshohet se ishin dhunuar seksualisht nga një familjar i tyre

Policia e Kosovës sot ka njoftuar se dy vajza në Kaçanik kanë raportuar se janë dhunuar seksualisht nga një burrë, i cili është arrestuar më 21 janar. Ndërkaq, dhunimi dyshohet se ka ndodhur nga viti 2012-2019.

“Kaçanik / 2012-2019. Më 21.01.2025 dy viktimat femra kosovare kanë raportuar se janë dhunuar seksualisht nga i dyshuari mashkull kosovar. I dyshuari me 29.01.2025 është arrestuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, tha policia në raport.

Ndërkaq, Prokuroria në Ferizaj e ka konfirmuar për portalin rtv21.tv se në kohën kur dyshohet se është kryer vepra penale, viktimat kanë qenë të moshës së mitur.

I dyshuari për kryerjen e dhunimit është arrestuar disa ditë më vonë, më 29.01.2025. Me vendim të prokurorit ai është dërguar në mbajtje.

Prokuroria për rtv21.tv ka konfirmuar se viktimat janë familjare mes vete dhe po ashtu kanë lidhje familjare me të dyshuarin.

“Prokuroria Themelore në Ferizaj ,brenda afatit ligjor, ndaj të pandehurit, ka parashtruar kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në afat prej 30-ditësh në Gjykatën Themelore në Ferizaj, për veprën penale të lartëcekur. Viktimat në këtë rast aktualisht janë të moshës madhore, ndërsa, në rastin e kohës së kryerjes së veprës penale kanë qenë të mitura, si dhe viktimat dhe i pandehuri kanë lidhje familjare mes vete”, ka thënë Prokuroria për portalin rtv21.tv./21Media

Back to top button