Dy vjet burgim ndaj personit që shkaktoi aksident me fatalitet në Skivjan të Gjakovës

Gjykata Themelore në Gjakovë e ka shpallur fajtor të pandehurin Z. R. për veprën penale “Rrezikim i trafikut publik”, dhe e ka dënuar me dy vjet burgim efektiv dhe me dënim plotësues të marrjes së lejes së vozitjes.

Referuar komunikatës së lëshuar nga Prokuroria Themelore në Gjakovë thuhet se “gjyqtari i vetëm gjykues, Driton Sadiku, pas mbajtës së shqyrtimit gjyqësorë, të pandehurin e shpalli fajtorë dhe i shqiptoi dënim me burgim në kohëzgjatje 2 vjet dhe dënim plotësues ashtu që të akuzuarit i merret leja e vozitjes e kategorisë “B1/B/M/L/T”, si dhe i ndalohet marrja e lejes së re të vozitjes në kohëzgjatje prej dy (2) vjet, i cili dënim rrjedh nga data kur ky aktgjykim të bëhet i formës së prerë”

Ndërkaq kjo ngjarje për të cilën është shpallur fajtor i pandehuri ka ndodhur më 17 mars 2024, në fshatin Skivjan të Komunës së Gjakovës.

“Nga pakujdesia, i pandehuri Z. R. ka rrezikuar sigurinë e trafikut publik dhe ka shkaktuar vdekjen e tani të ndjerit B. D., duke u përplasur me veturën e tij në tentim tejkalimi të një automjeti tjetër, pa përshtatur shpejtësinë dhe pa u siguruar për kushtet në rrugë”, thuhet në aktakuzën e prokurorisë

Si pasojë e aksidentit, i ndjeri B. D. ndërroi jetë më 18 mars në QKUK, ndërsa i pandehuri pësoi lëndime trupore. Përveç humbjes së jetës, nga aksidenti u shkaktuan edhe dëme materiale në dy automjete të përfshira.

Sipas prokurorisë, palët në procedurë kanë të drejtë ankese ndaj këtij aktgjykimi brenda afatit prej 30 ditësh nga dita e pranimit të tij në formë të shkruar.

Back to top button