Dyshime për manipulim të votuesve, ndërhyn Prokuroria

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar opinionin publik se ka pranuar një informatë anonime lidhur me dyshimet se një person me inicialet M.S. ka ndikuar te qytetarët për të votuar, si dhe ka kërkuar raporte shëndetësore nga persona të caktuar, me qëllim që ata të asistohen gjatë procesit të votimit.
Sipas njoftimit, personi i dyshuar është shoqëruar në stacionin policor në Komunën e Graçanicës, ku ndaj tij janë duke u ndërmarrë të gjitha masat dhe veprimet e nevojshme hetimore, në përputhje me procedurat ligjore në fuqi.
Prokuroria bën të ditur se gjatë kontrollit fillestar nuk është gjetur asgjë e dyshimtë, ndërsa i dyshuari është intervistuar nga organet kompetente.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë, në koordinim me Policinë e Kosovës, mbetet e përkushtuar në ruajtjen e rendit dhe ligjshmërisë, si dhe në garantimin e një procesi zgjedhor të lirë dhe demokratik”, thuhet në njoftim.