Dyshimet mbi helmimin nga uji në Han të Elezit, IKSHPK jep detaje

Mbi 100 persona dyshohet se janë helmuar nga uji i pijshëm në Han të Elezit.
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka thënë se personat që janë paraqitur kanë simpotmat e njëjta: barkqitje, vjellje, temperaturë.
“Dyshimet e drejtoreshës së DSHMS dhe asaj të QKMF bazohen në faktin se dukshëm është shtuar numri i personave që kërkojnë ndihmë mjekësore nga fshati Gorancë që nga data 28 qershor kur edhe është lëshuar në përdorim edhe një burim i ri i ujit të pijshëm për të cilin dyshohet se është i kontaminuar. Ky burim së bashku me atë paraprak derdhen në të njëjtin rezervoar. Pjesa tjetër e banorëve të fshatit Seqishtë furnizohen me ujë nga burimi i Glloboçicës. Ekipet në terren janë informuar se burimi i fshatit Gorancë nuk monitorohet nga KRU-Bifurkacioni, ndërsa ai i Glloboçicës po”, thuhet në njoftimin e IKSHPK-së.
Sipas njoftimit, analizat që i janë bërë mostrave të ujit, rezultojnë brenda parametrave normal.
“Mostrat e ujit të marra gjatë ditës së sotme për analizë fiziko-kimike përveç turbullirës në dy raste rezultojnë brenda parametrave normal. Janë marrë po ashtu mostrat e ujit edhe për analizë bakterore, ndërsa ekipi i Epidemiologjisë së bashku me ekipen e DSHMS të Hanit të Elezit janë në terren duke anketuar personat të cilët janë paraqitur në QKMF. Në momentin që IKSHPK i ka rezultatet e para, publiku do të informohet në kohë reale”, thuhet më tej në njoftim./21Media

Back to top button