Dyshohen për trafikim armësh, dy shtetas të Kosovës arrestohen në Tiranë

Dy shtetas të Kosovës janë arrestuar në Tiranë pasiqë dyshohen për trafikim të armëve.
“Si rezultat i hetimeve disamujore të kryera me metoda proaktive, në drejtimin e Prokurorisë, për goditjen e veprimtarisë kriminale të shitjes së armëve të zjarrit, Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, në bashkëpunim me Forcën Operacionale të DVP Tiranë, ka organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar ‘Suspend’, si rezultat i të cilit u arrestuan shtetasit: A. P., 23 vjeç dhe K. P., 53 vjeç, të dy banues në Kosovë”, thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit.
Po ashtu bëhet e ditur se të dyshuarve u janë gjetur dhe sekuestruar dy pistoleta dhe municion luftarak.
“Nga hetimet dyshohet se këta shtetas i kanë trafikuar pistoletat nga Kosova, me qëllim shitjen në Tiranë. Vijojnë hetimet në drejtimin e Prokurorisë, për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të këtyre shtetasve, identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të përfshirë”, thuhet në njoftim./21Media