Dyshohet se djali vrau prindërit në Prizren

I dyshuari jashtë vendit

I dyshuari për rastin e vrasjes së çiftit në Prizren del të jetë i biri i tyre 35 vjeçar. Raportohet se ai ka ikur jashtë vendit. Lajmin e ka konfirmuar për 21Media zëdhënësi i policisë për Rajonin e Prizrenit, Vesel Gashi.

“Referojuni versionit të prokurorisë i cili është publikuar”, ka thënë ai.

Sot gjatë gjithë ditës 21 Media ka provuar të kontaktojë me Prokurorinë Themelore të Prizrenit por kjo e fundit nuk është përgjigjur. Kjo prokurori për mediat e tjera ka deklaruar se: Suada e Sokol Hadri kishin ardhur nga Suedia në Kosovë më 20 janar, ndërkaq po atë natë, djali i tyre A.Hadri kishte ikur nga Kosova. Prokuroria ka thënë se i dyshuari ka shkuar nga Kosova në Maqedoni me datën 20 janar, e më 21 janar nga Maqedonia në Greqi. Ndërkaq gjatë ditës së sotme policia ka marrë në pyetje edhe dy fëmijët e tjerë të çiftit Hadri, të cilët pas marrjes së lajmit për vrasjen e prindërve të tyre, kanë ardhur nga Suedia në Kosovë.

Motivet dhe rrethanat në të cilat ka ndodhur vrasja ende nuk dihen. Çifti bashkëshortor kishte ardhur nga Suedia në Kosovë për pushime, por vetëm dy ditë pas ardhjes ata u gjetën të vrarë në shtëpinë e tyre në Prizren./21Media

Së shpejti detaje të reja

Back to top button