”E ardhmja e Kosovës dhe Shqipërisë është BE-ja”

Nishani konfirmoi mbështetjen e Tiranës në procesin e integrimit euro-atlantik të Kosovës

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, ka pritur sot në takim presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishanin, i cili gjendet për vizitë në Kosovë, në përmbyllje të mandatit të tij si president.

Siç bëhet e ditur në komunikatë, Veseli dhe Nishani diskutuan për zhvillimet e fundit politike në të dyja vendet, të cilat gjatë muajit të ardhshëm pritet t’u nënshtrohen proceseve zgjedhore parlamentare.

Veseli e Nishani theksuan nevojën që këto procese të përcillen me pjekuri politike, duke dëshmuar edhe njëherë kulturën demokratike tashmë të rrënjosur si traditë në spektret politike të të dyja vendeve.

Veseli tha se e ardhmja e përbashkët e të dyja vendeve është në Bashkimin Evropian, si vullnet dhe orientim i përbashkët qytetar dhe institucional.

Në anën tjetër,  Bujar Nishani e përgëzoi kryetarin Veseli për tejkalimin e sfidave me të cilat është përballur legjislativi i vendit dhe e gjithë jeta parlamentare në Kosovë, duke i trajtuar ato me pjekuri dhe maturi.

Më tutje, Nishani konfirmoi mbështetjen e Tiranës zyrtare në procesin e integrimit euro-atlantik të Kosovës dhe forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të saj./21Media

Back to top button