E drejta në pronë u shkel, Kushtetuesja i jep të drejtë trashëgimtareve

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka publikuar aktgjykimin në rastin KI278/23, me të cilin ka konstatuar shkelje të së drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, si dhe shkelje të së drejtës në pronë.
Rasti ishte parashtruar nga Afërdita Nura-Lama, Eufrozina Nura, Dijana Nura-Sahatçiu dhe Servete Nura, të cilat kishin kërkuar vlerësimin e kushtetutshmërisë së një aktgjykimi të Gjykatës Supreme, lidhur me mosnjohjen e të drejtës pronësore mbi një pronë në Prishtinë.
Gjykata Kushtetuese konstatoi se vendimi i Komisionit për Kërkesa Pronësore të Kosovës i vitit 2011, me të cilin ishte njohur e drejta pronësore për trashëgimtaren Melihate Nura, është i formës së prerë dhe obligativ për zbatim nga Komuna e Prishtinës dhe Agjencia Kosovare për Krahasimin dhe Verifikimin e Pronave.
Si rrjedhojë, Gjykata shfuqizoi aktvendimin e Agjencisë Kadastrale të Kosovës dhe aktgjykimet e Gjykatës Themelore, Gjykatës së Apelit dhe Gjykatës Supreme, duke konstatuar se këto vendime nuk ishin në përputhje me Kushtetutën dhe Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Po ashtu, Gjykata urdhëroi Komunën e Prishtinës dhe Agjencinë për Krahasimin dhe Verifikimin e Pronave që deri më 21 mars 2026 ta njoftojnë për masat e ndërmarra për zbatimin e këtij aktgjykimi.