E hëna vendimtare për Dragashin

Është duke vazhduar periudha për përsëritjen e votimit nga jashtë Kosovës për raundin e dytë të Zgjedhjeve për Kryetar të Komunës së Dragashit, e cila ka filluar më 29 nëntor. Këtë e ka konfirmuar për portalin rtv21.tv zëdhënësi i KQZ-së Valmir Elezi.
Sipas Elezit deri më tani KQZ, ka pranuar 332 pako të supozuara me fletëvotime.
Elezi tutje ka bërë të ditur se duke u mbështetur në ligj, KQZ do të pranojë fletëvotime më së largu deri më 13 dhjetor.
Të drejtën për të votuar përmes postës e kanë vetëm 1,090 votuesit jashtë Kosovës të komunës së Dragashit, të cilët janë regjistruar si votues jashtë Kosovës gjatë periudhës 10 korrik – 18 gusht 2021.
Gjykata Supreme kishte vendosur që votat e ardhura me postë nga jashtë për Komunën e Dragashit të mos njihen. Po ashtu, ka vendosur që diaspora nga kjo komunë të votojë sërish dhe në bazë të atyre votave do të zgjidhet edhe kryetari i ri i komunës.
Kandidati i PDK-së për Dragashin, Shaban Shabani, kishte bërë ankesë më 17 nëntor në PZAP se në rundin e dytë të zgjedhjeve ka pasur manipulim të zgjedhjeve të cilat kanë cenuar integritetin e procesit zgjedhor, duke devijuar vullnetin e shumicës së zgjedhësve.
Në anën tjetër, më 20 nëntor, Lidhja Demokratike e Kosovës është ankuar në Gjykatën Supreme për vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), lidhur me refuzimin e votave në Komunën e Dragashit, të ardhura nga diaspora. Kështu çështja shkoi deri në Supreme, që vendosi për rivotim të diasporës nga kjo komunë.
Sipas rezultateve preliminare të 17 nëntorit nga KQZ-ja, në Dragash ka udhëhequr Shaban Shabani i PDK-së me 5.648 vota, 47 më shumë se kandidati i LDK-së, Bexhet Xheladini. Por, pas numërimit të votave nga diaspora, Xheladini kishte marrë 244 vota, ndërsa Shabani vetëm 54, duke bërë që rezultati të përmbyset./21Media 

Back to top button