E konfirmon Kurti: MPB ndryshon masën e sigurisë ndaj produkteve serbe

(Lajm i përditësuar)
Ministria e Punëve të Brendshme ka ndryshuar masën e sigurisë ndaj produkteve që hyjnë nga Serbia përmes pikës kufitare Merdare, këtë e ka konfirmuar kryeministri Albin Kurti.
“Sot paradite ministri i Punëve të Brendshme i ka shkruar drejtorit të Doganave që në njërin nga pikat kufitare me Republikën e Serbisë, Republika e Kosovës e ka ndërruar masën e sigurisë nga kufuzimi te kontrolli i shtuar. Derisa të na vijnë skanerët, në momentin kur të na vijnë skanerët, atëherë do ta vendosim në të gjitha pikatë kufitare”, tha Kurti.
Kjo masë që po bëhet vetëm në një pikë kufitare, sipas Kurtit është e mjaftueshme për proceset që vinë ditëve në vijim, ku përfshihet edhe heqja e kushtit nga Gjermani për të marrë pjesë në Procesin e Berlinit.
Raportohet se Qeveria ka ndryshuar masën e sigurisë ndaj produkteve serbe
Qeveria e Kosovës e ka hequr pjesërisht ndalesën ndaj importit të mallrave nga Serbia, pas një trysnie të vazhdueshme nga Gjermania në lidhje me CEFTA-n dhe Procesin e Berlinit, raportojnë mediat lokale të hënën.
Sipas raportimeve, ndalesa është hequr vetëm për pikëkalimin Merdare mes Kosovës dhe Serbisë.
Portali rtv21.tv e ka pyetur Qeverinë e Kosovës dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme për këtë, por ende nuk ka marrë përgjigje.
Kosova ka ndalur importet nga Serbia pas arrestimit të tre policëve kosovarë nga forcat serbe, tensioneve në veri dhe dyshimeve se nëpërmjet mallrave janë futur ilegalisht armë, vitin e shkuar.
Kosova së fundi ka pasur presion për të hequr ndalesën për mallrat serbe.
Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë tha në një reagim të hënën se e përshëndet “vendimin e sotëm” të Qeverisë së Kosovës për “ndryshimin e masës së sigurisë për produktet e importuara nga Serbia”.
Për më shumë se një vit, kjo odë thekson se ka përsëritur se një vendim i tillë ka pasur ndikim negativ në interesat komerciale të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, por edhe ka qenë në kundërshtim me frymën e promovuar nga Marrëveshja për Tregtinë e Lirë e Evropës Qendrore (CEFTA), por edhe zotimet e ndërmarra nga Kosova në kuadër të procesit të integrimit në Bashkimin Evropian.
“Për më tepër, masa e tillë ka rrezikuar kështu edhe pjesëmarrjen e Kosovës në nismat e bashkëpunimit rajonal, me pasoja të rënda për ekonominë dhe procesin e integrimit euro-atlantik të Kosovës. Duke pasur parasysh që njëri ndër synimet kryesore të CEFTA-së përfshin reduktimin e kostove të tregtisë dhe prodhimit, përmes eliminimit të barrierave të lëvizjes së mallrave, Oda Amerikane i bënë thirrje Qeverisë së Republikës së Kosovës që sa më shpejtë të jetë e mundur të fuqizojë mekanizmat e kontrollit në të gjitha vendkalimet kufitare, ashtu që masa aktuale e sigurisë të mund të shfuqizohet në tërësi”, thuhet në njoftim të Odës Amerikane.
Sipas Odës Ekonomike Amerikane, hapi i sotëm i ekzekutivit është inkurajues dhe dëshmi se Kosova mbetet e përkushtuar në promovimin e lëvizjes së lirë të mallrave ndërmjet shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe avancimit të përpjekjeve për krijimin e tregut të përbashkët rajonal.
“Oda Ekonomike Amerikane beson fuqishëm në idenë e lëvizjes së lirë të njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitalit, prandaj u bënë thirrje Kosovës dhe të gjitha shteteve pjesëmarrëse në nismat rajonale që të punojnë së bashku për largimin e të gjitha barrierave ekzistuese që pamundësojnë realizimin e katër lirive të sipërcekura, e në këtë aspekt edhe eliminimin e barrierave të shumta me të cilat ballafaqohen prodhuesit nga Kosova në përpjekjet e tyre për eksport apo kalim transit në Serbi dhe Bosnjë e Hercegovinë”, thuhet në një njoftim.