​Ecje dhe vrapim vetëdijësues, Rama: Sporti është forcë për të mposhtur edhe sëmundje të rënda

Me qëllim të rritjes së ndërgjegjësimit për parandalimin dhe luftën kundër kancerit të gjirit është mbajtur ngjarja vetëdijësuese “Race for dhe Cure Prishtina 2025”. Në sheshin “Ibrahim Rugova” në Prishtinë janë organizuar një sërë aktivitetesh, duke përfshirë ecje dhe vrapim simbolik duke bashkuar qytetarë, profesionistë shëndetësor, të mbijetuar të kancerit të gjirit dhe përkrahës të shumtë.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka folur për rëndësinë e sportit për të mposhtur dhe për të fituar betejën me sëmundje të rënda.

“Sporti është jetë, sporti është forcë dhe me sport e kujdes të përbashkët mund të mposhtin edhe sëmundjet më të rënda. Shikoni sot rreth juve këtu, gratë që e kanë fituar betejën janë këtu me bluza rozë, janë afër jush edhe ky është vendi ku takohemi çdo vit gratë e mbijetuara, prandaj e kam edhe kënaqësinë që jemi prapë bashkë, ato nuk sjellin vetëm historitë e tyre por e sjellin edhe fuqinë e sinergjisë. Ato janë shembulli i gjallë se guximi dhe vendosmëria japin rezultat, ju paçim çdo vjet këtu së bashku me ne”, u shpreh Rama.

Kryetarja e “Race for the Cure”, Violeta Pirana ka ndarë mirënjohje për të gjithë ata që kanë kontribuar ndër vite, duke bërë thirrje për vullnetarizëm.

“Ftoj të gjithë të tregojnë vullnetarizëm se vullnetarizmi e përmbush shpirtin, jo çdo gjë mund të bëhet me para, por edhe me shpirt. Ne kemi nevojë që shpirtërisht të ndjehemi të madhe, edhe të vendosim për të jetuar”, u shpreh ajo.

Drejtori i Shëndetësisë në Prishtinë, Izet Sadiku tha se gjatë muajit tetor do të ofrohen shërbime falas për mamografi edhe për gratë e komunave të tjera.

“Në tri vitet e fundit kemi një rritje të 245 për qind më shumë mamografi të realizuara në kryeqytet se para tri viteve. Kemi katër mamografë dhe dy mamografë janë blerë vetëm tri vitet e fundit në Prishtinë, mamografia është pa pagesë për të gjitha gratë të cilat dëshirojnë ta bëjnë atë në mënyrë vullnetare dhe kemi subvencionuar të gjitha gratë me kancer të gjirit deri në 250 euro”, ka thënë ai.

Në gjithë Evropën, çdo dit diagnostikohen më shumë se 500 mijë raste me kancer të gjirit dhe 125 mijë gra e humbin jetën. /kp

Back to top button