Edhe dy ftesa të tjera nga Haga

Ish- pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ftohen nga Gjykata Speciale

Edhe dy ftesa të tjera kanë arritur nga Gjykata Sepciale. Kryetari i organizatës së veteranëve të UÇK-së, Hysni Gucati ka njoftuar se bashkëluftëtarët nga Zona Operative e Drenicës, Abedin Daka dhe Sherif Tahiri janë ftuar për intervistim në Hagë. Por nuk behët e ditur se në çfarë cilësie janë ftuar të dëshmojnë.

I ftuari, Abedin Daka është vëllai i dëshmorit, Mirush Daka nga fshati Cerovik i komunës së Klinës, ndërsa Sherif Tahiri vjen nga fshati Tërdevc i komunës së Drenasit.

Kjo nuk është ftesa e vetme sot, sepse qysh me mëngjes është dhënë lajmi që edhe ish-ushtari i UÇK-së, Ramiz Kukaj nga Korisha e Prizrenit është ftuar për në Hagë.

Vetëm në këto dy javët e para të këtij viti 2020, festë nga Haga kanë marrë edhe Ish- pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili aktualisht është deputet i Kuvendit të Kosovës në kuadër të PDK-së, Ferat Shala, ish- pjesëtari i UÇK-së, Agron Limani nga zona operative e Pashtrikut dhe ish-luftëtari i UÇK-së, Imer Zogaj.

Ndërsa mbi 250 persona, ish-ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare dhe qytetarë të Kosovës janë ftuar gjatë vitit 2019 nga Gjykata Speciale. Disa prej tyre janë ftuar në cilësinë e të dyshuarve, por shumë prej tyre ftesën e kanë marrë vetëm si dëshmitarë. Madje janë ftuar edhe disa nga komandantët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovë, në mesin e tyre edhe kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj dhe ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, dikur udhëheqës të UÇK-së.

Gjykata Speciale është përgjegjëse për hetimin e krimeve kundër njerëzimit, krimeve të luftës dhe krimeve tjera penale në lidhje me akuzat nga Raporti i Këshillit të Evropës i vitit 2011, ku flitet për krimet e pretenduara se i kanë bërë pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në periudhën prej vitit 1998 e deri në vitin 2000./21Media

Back to top button