Edhe dy muaj arrest shtëpiak për aktivistët e VV-së

Adea Batusha, Atdhe Arifi, Egzon Haliti dhe Frashër Krasniqi do të mbahen edhe dy muaj të tjerë në arrest shtëpiak

Në një njoftim nga Lëvizja Vetëvendosje bëhet e ditur se Adea Batusha, Atdhe Arifi, Egzon Haliti dhe Frashër Krasniqi do të mbahen edhe dy muaj të tjerë në arrest shtëpiak, sipas aktvendimit të ri, i cili sipas tyre thuajse është përseritje e fjalëpërfjalshme e aktvendimit paraprak.

Sipas VV-së, ky vendim i padrejtë i Gjykatës Themelore të Prishtinës që privon nga liria katër aktivistët tanë, po ia mundëson zgjatjen e jetës një procesi, i cili ende po mbijeton pa asnjë provë të vlefshme.

Më tej në njoftim thuhet se ky proces kryekëput politik është dëshmi e qartë e instrumentalizimit të drejtësisë për interesa të klanit kriminal “Pronto”, i cili e ka zhytur vendin në varfëri e mjerim dhe krim e korrupsion. Vetëvendosje vlerëson se kjo drejtësi e kapur e cila punën e saj e kryen sipas porosive të pushtetit, në vazhdimësi është përqëndruar në luftimin e opozitës, dhe sipas tyre ka mbyllur sytë para krimit të organizuar dhe kriminelëve që qëndrojnë mbi ligjin.

“Vendimi ndaj aktivistëve është arbitrar dhe është shkelje e të drejtave themelore të katër aktivistëve tanë, dhe si i tillë është i papranueshëm, siç është i gjithë procesi. Si pasojë e këtij procesi të montuar, i përcjellë që nga fillimi me shkelje flagrante të të drejtave elementare të njeriut, aktivisti Astrit Dehari sot nuk është në mesin tonë” thuhet në njoftimin e VV-së.

VV për këtë bën përgjgegjese ministren Dhurata Hoxha dhe  gjithë krerët e shtetit që ata i quajnë të kapur. “Për këtë, sikurse për gjithë këtë rast dhe përndjekjen e vazhdueshme të aktivistëve të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, do të mbahet përgjegjëse ministrja Dhurata Hoxha dhe gjithë krerët e shtetit të kapur. Këta njerëz që në vend të angazhimit për shtet të së drejtës, me çdo kusht e duan ndërtimin e një aparati autoritar shtetëror, nuk do të mund ta ndalin drejtësinë. Shteti i së drejtës do të shënojë fundin e proceseve të tilla të padrejta dhe fundin e gjithë atyre që janë kundër drejtësisë.”thuhet në komunikatën e VV-së./21Media

Back to top button