Edhe Hetemi i dërgon letër KOSTT-it e ZRrE-së për nisjen e pagesës së rregullt të rrymës në Leposaviq

(Lajm i përditësuar)


Edhe kryetari i ri i Leposaviqit, Lulzim Hetemi, i ka dërguar letër KOSTT-it dhe ZRrE-së për të nisur pagesa e rregullt e energjisë elektrike në këtë komunë.

Hetemi, përmes një postimi në “Facebook”, ka bërë të ditur se ka kërkuar nga to që ta njoftojnë edhe për borxhin e grumbulluar të rrymës së shpenzuar.

“Sot ju drejtova KOSTT dhe ZRrE-së për të kyçur institucionet tona publike komunale në mënyrë që të fillojë pagesa e rregullt e energjisë eklektike. Po ashtu autoritet duhet të na njoftojnë me borxhin e grumbulluar të rrymës së shpenzuar në mënyrë që t’i shlyejmë ato detyrime”, ka shkruar Hetemi në “Facebook”.


Atiq i dërgon kërkesë KOSTT-it dhe ZRrE-së, kërkon fillimin e pagesës së rrymës

Kryetari i ri i Komunës së Mitrovicës Veriore, Erden Atiq të hënën i është drejtuar me një kërkesë KOSTT-it dhe Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE) për të filluar pagesën e faturave të energjisë elektrike në insitucionet publike të kësaj komune.

Po ashtu Atiq ka kërkuar që të marrë informohet për borxhin që duhet paguar për rrymën e papaguar nga komuna që ai drejton.

“Sot ju drejtova KOSTT dhe ZRRE me kërkesën për të na kyçur dhe filluar pagesën e rrymës elektrike në institucionet publike të Komunës sonë. Gjithashtu kërkova që të na njoftojnë mbi borxhin që i duhet paguar institucioneve të Republikës së Kosovës për rrymën e papaguar nga komuna që drejtoj”, ka shkruar Atiq në “Facebook”

Në katër komunat veriore të Kosovës, serbët nuk kanë pagua asnjë herë rrymën e shpenzuar në atë pjesë.

Back to top button