Edhe Kurti u takua me presidenten e BERZH-it

Kryeministri, Albin Kurti i shoqëruar nga ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati dhe ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli e ka pritur në takim presidenten e Bankës Evropiane për Zhvillim dhe Rindërtim, Odile Renaud Basso.
Në takim u bisedua për bashkëpunimin e deritanishme ndërmjet Qeverisë dhe BERZh-it dhe për planet për të ardhmen dhe fushat e bashkëpunimit. Vëmendje iu dha projekteve në zbatim e sipër, që janë të mbështetura nga BERZH.
Kurti ka folur për masat e reja të Pakos së Ringjalljes Ekonomike nga të cilat do të përfitojnë rreth 800 mijë qytetarë.
Po ashtu ai ka folur edhe për planet për rritjen e pagës minimale në 264 euro bruto, që do të konkretizohen nesër në mbledhjen e qeverisë me rastin e miratimit të projektligjit, që i hap rrugë një gjëje të tillë.
Tutje në takim u diskutua edhe për Strategjinë e re të Energjisë, e cila është drejt finalizimit dhe për potencialin e vendit për prodhimin e energjisë elektrike nga burimet e ripërtëritshme.
Ndërsa, presidentja Basso tha se BERZH është e interesuar për të bërë edhe më shumë në fushën e energjisë së ripërtëritshme, të efiçiencës së Energjisë, zhvillimit të mëtejshëm të infrastrukturës, si dhe në përkrahjen e sektorit privat në Kosovë.
Në fund të takimit, ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati nënshkroi me BERZH-in Marrëveshjen e Kredisë për projektin ”Korniza e Qyteteve të  Gjelbërta 2 Dritarja 2 – Efiçienca e energjisë në ndërtesat publike në Prishtinë”./21Media

Back to top button