Edhe një alarm i rrejshmë për bombë në Aeroportin e Prishtinës

(Lajm i përditësuar)
Policia e Kosovës ka njoftuar edhe për një kërcënim me bombë në Aeroportin e Prishtinës, “Adem Jashari”. Mirëpo, doli të jetë alarm i rrejshëm
Zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti ka thënë për portalin rtv21.tv se nuk është gjetë asgjë e dyshimtë.
“Pas ndërmarrjes së të gjitha veprimeve të nevojshme operative si dhe kontrollit të detajuar të hapësirës së caktuar nga ana e njësive të specializuara për menaxhimin me mjetet shpërthyese, nuk është gjetë asgjë e dyshimtë. Rasti po trajtohet nga njësitet kompetente”, ka thënë Ahmeti.
Prapë kërcënim me bombë në Aeroportin e Prishtinës
Policia e Kosovës ka njoftuar se rreth orës 19:00 ka pranuar edhe një kërcënim me bombë në Aeroportin e Prishtinës, “Adem Jashari”.
Zëdhënësja e Policisë së Kosovës, për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti ka thënë për portalin rtv21.tv se Policia ka nisur ndërmarrjen e veprimeve operative të nevojshme për të menaxhuar me situatën.
“Rreth orës 19:00 është pranuar një informatë tjetër, për dyshimet që ndërlidhen me një shpërthim të mundshëm në Aeroportin Ndërkombëtar ‘Adem Jashari’. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka nisur ndërmarrjen e veprimeve operative të nevojshme për të menaxhuar me situatën”, ka thënë Ahmeti.
Të hënën rreth orës 16:00 Policia e Kosovës kishte pranuar edhe një alarm tjetër për bombë.
S’ka bombë në Aeroportin e Prishtinës, alarmi ishte i rrejshëm
Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari” është hapur sërish për udhëtuar dhe janë rikthyer fluturimet, pas një bllokimi mbi një orë e gjysmë shkaku i një kërcënimi për një shpërthim të mundshëm.
Zëdhënësja e Aeroportit, Valentina Gara, ka njoftuar se alarmi për bombë ka rezultuar të ishte i rrejshëm, siç kishte pasur edhe kërcënime false në të kaluarën.
“Ju njoftojmë se janë ndërmarrë të gjitha veprimet operative dhe hetimore nga organet kompetente të Republikës së Kosovës. Kjo ka rezultuar se kërcënimi me bombë ka qenë alarm i rrejshëm. ANP ‘Adem Jashari’ është i hapur për fluturime, dhe të gjitha fluturimet do të procesohen si zakonisht”, ka shkruar Gara në “Facebook”.
Kërcënim me bombë në Aeroportin e Prishtinës, Policia del në vendin e ngjarjes
Sot rreth orës 16:00 Policia e Kosovës ka pranuar informata për dyshimet që ndërlidhen me një shpërthim të mundshëm në Airoportin Ndërkombëtar “Adem Jashari”.
Zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti për portalin rtv21.tv ka thënë se Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes.
“Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka nisur ndërmarrjen e veprimeve operative të nevojshme për të menaxhuar me situatën”, ka thënë Ahmeti.
Prapë kërcënim me bombë në Aeroportin e Prishtinës
Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari” është duke u evakuar si pasojë e një kërcënimi me bombë.
“Konfirmojmë se kemi pranuar një kërcenim me bombë. Udhëtarët dhe personeli janë evakuar. Ekipet emergjente jane involvuar ne detyrat dhe pergjegjesite e caktuara”, ka shkruar në Facebook, zëdhënësja e Aeroportit Valentina Gara.
Alarm për bombë ka pasur edhe më 22 dhjetor të vitit të kaluar, i cili rezultoi i rremë/21Media

Back to top button