Edhe një dështim! Kuvendi nuk konstituohet as për 24-ën herë

(Lajm i përditësuar)
Zemaj: Nuk vendosi unë për pagën, është çështje ligjore
Është çështje procedurale dhe ligjore tha deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj kur u pyet nëse deputetët e Kuvendit të Kosovës e kanë merituar pagën e cila iu është ekzekutuar në muajin maj.
Pas dështimit për herë të njëzet e katërt të seancës konstituive, Zemaj para gazetarëve tha se detyra e deputetit është që të vijnë sipas rregullores në kuvend për të qenë pjesë e vendimmarrjes.
“Nuk vendosi unë për pagën. Është çështje procedurale dhe ligjore. Mund të duket pyetje atraktive, por nuk është në kontekstin dhe zgjidhjen e këtij problemi. Seancat janë të thirrura ashtu siç i takon me rregullore. Këtë detyrë e ka deputeti, me ardhë dhe të bëhet pjesë e vendimmarrjes. Detyrë tjetër përpos të përfaqësimit edhe punëve të tjera që janë dhe ligjore edhe kushtetuese, deputetët nuk kanë”, tha Zemaj.
Deputetët dështuan të konstituojnë kuvendin edhe në përpjekjen e 24-të. As sot koalicioni Lëvizja Vetëvendosje, Lista Guxo dhe Alternativa, nuk arriti të formojë Komisionin për votimin e fshehtë të kryeparlamentarit. /kp
Haradinaj e përshëndet Limajn me “e shkuar e harruar”
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj tha se bllokada e vazhdueshme në kuvend është shqetësim serioz, derisa përmendi se mos votimi i ligjeve do të sjellë pasoja.
Haradinaj tha se tarifat e reja të energjisë elektrike po rrezikojnë mijëra vende të punës dhe rrezikohet një rënie e madhe e prodhimtarisë, raporton KosovaPress.
“Nëse vazhdon kjo situatë e tillë është vërtetë shqetësim serioz jo veç çka ndodhë në seancë, por edhe çka ndodhë në vend. Qysh e dimë prej nesër fillojnë tarifat e reja të energjisë. Nuk është vetëm keqpërdorim i një situate kjo, por janë të rrezikuara shumë vende të punës në prodhim. Prodhimi në Kosovë vërtetë rrezikohet një rënie e madhe e prodhimtarisë. Paraja do të ekspertohet, pasojat do të jenë shumë më të mëdha në vend. Duke mos e pasur parlamentin e konstituar, duke mos votuar ligje, duke mos ecur proceset është duke u bërë problem. Nuk e di si do t’i vjen fundi kësaj pune. Ende po presim me shpresë se çka do të ndodhë me vendimin e Gjykatës Kushtetuese”, tha Haradinaj.
Haradinaj tha se nuk ekziston emri i tij për diskutime, kur u pyet nëse kreu i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj është emër unifikues për kryetar të kuvendit.
“Nuk kam koment, edhe me herët kam thënë ‘e shkuar e harruar’. Gati se nuk ekziston emri i tij as për diskutime as për tema të tilla. I kemi përmend tre emra”, tha Haradinaj.
Deputetët dështuan të konstituojnë kuvendin edhe në përpjekjen e 24-të. As në tentimin e radhës, koalicioni Lëvizja Vetëvendosje, Lista Guxo dhe Alternativa, nuk arriti të formojë Komisionin për votimin e fshehtë të kryeparlamentarit.
Abrashi: Do të diskutojmë me gjithë deputetët që “nuk e kanë humbur arsyen”
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosjes, Artan Abrashi, ka thënë se po vazhdon “bojkoti e sapotazhi opozitar në Kuvendin e Kosovës”.
Ai ka thënë se po presin nga Gjykata Kushtetuese të sqarohet çështja e votimit të fshehtë e po ashtu edhe vendimi për “manipulimin e votave nga diaspora nga LDK-ja”.
Abrashi ka thënë se me Nismën Socialdemokrate ka diskutime për të gjitha temat. Ai ka thënë se do të vazhdohet të diskutohet me deputetë shqiptarë të gjitha subjekteve politike “që nuk e kanë humbur arsyen”.
Deputeti i VV-së ka mohuar se deputetëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës u janë ofruar privilegje për të votuar për propozimin e Vetëvendosjes për kryetar të Kuvendit, që është Albulena Haxhiu.
“Konsideroj se kolegët tanë nga LDK-ja nuk e kanë nevojë të sajojnë storie të tilla të paqëndrueshme. Mundohen të mbulojnë pafuqinë e tyre që të bindin me zor deputetët të qëndrojnë brenda një vendimi absurd. E di se LDK-ja ka zëra të arsyes. Po abuzohet lojaliteti i deputetëve ndaj subjektit. Kjo nuk zgjat pafundësisht”, tha ai.
Ai ka treguar se ka bisedime edhe me deputetë nga radhët e PDK-së.
“Sot më herët kam folur me dy a tre. Nuk është diçka e fshehtë”, tha Abrashi.
Berisha tregon se deputetëve i’u kanë dalë pagat: 1500 euro pa komisione apo shtesa të tjera
Deputeti i AAK-së, Bekë Berisha, para fillimit të seancës është pyetur për pagën që po marrin deputetët, edhe pse nuk po punojnë për shkak të moskonstituimit të Kuvnedit.
Ai ka thënë se deputetëve iu ka dalë paga.
“Kjo paga bazë është, se po mendojnë që marrim mëditje, e kam një pagë, e nëse juve gazetarëve iu ka mbet po jau dha. Për qeta jemi zgjedh”, tha Berisha sot nga gazetarët .
“Nja 1500 euro na kanë dalë pa komisione apo shtesa të tjera”, ka deklaruar ai.
Çitaku: Për shkak të kryeneçësisë së Kurtit, kemi mbetur këtu
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, i ka bërë thirrje për reflektim Lëvizjes Vetëvendosje për zhbllokimin e situatës në Kuvend.
Pas dështimit të konstituimit të legjislaturës së re të Kuvendit, Çitaku ka thënë se bllokimi i votimit në Kuvend po ndodh për shkak të kryeneçësisë së kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.
“Sot do të duhej të ishim në seancë për të shkarkuar Bordin e ZRRE-së dhe së dyti për t’i dhënë vendit një qeveri që do punonte për të adresuar sfidat e shumta. Fatkeqësisht për shkak të kryeneçësisë së Kurtit dhe insistimit të tij për të legjitimuar presionin politik si instrument ne kemi mbetur këtu ku jemi. Nuk votohet me diktat. Sot kemi ngërç politik artificial”, tha Çitaku para mediave sot.
Izmaku: Kuvendit të Kosovës i duhet në këto momente Limaj
Deputetja nga radhët e Nismës Socialdemokrate, Xhevahire Izmaku, ka thënë se kreu i kësaj partie Fatmir Limaj meriton të jetë kryetar i Kuvendit të Kosovës.
Ajo s’ka konfirmuar nëse ka pasur ndonjë takim të ri me Lëvizjen Vetëvendosje, por ka thënë se mendimi i Nismës është se Limaj i duhet Kuvendit të Kosovës.
“Nisma konsideron se Kuvendit të Kosovës në këto momente i duhet z. Limaj. Një figurë e cila kish sjell koncesus. Mendojmë se kryetari i Kuvendit ka nevojë të sjellë njëfarë koncesusi mes deputetëve e për procese që e presin Kosovën në të ardhmen”, tha Izmaku para vazhdimit të seancës konstituive.
Ajo ka thënë se nuk beson se ka pasur takim të ri mbrëmë.
Edhe një dështim! Kuvendi nuk konstituohet as për 24-ën herë
Kuvendi i Kosovës as për të 24 herë nuk ka arritur të konstituohet.
Seanca e radhës do të mbahet më 2 qershor në ora 10:30.
Edhe në këtë seancë, kryesuesi Avni Dehari kërkoi nga Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe NISMA dhe Lista Serbe që të propozojnë emrat e anëtarëve për komision që do të mundësonte votimin e fshehtë, por që ata refuzuan t’i japin emrat.
Kuvendi i Kosovës po dështon të zgjedhë kryetarin e ri pasi propozimi i Lëvizjes Vetëvendosje, Guxo e Alternativa, Albulena Haxhiu nuk po mundet kurrsesi të sigurojë gjashtëdhjetenjë votat e nevojshme, raporton KosovaPress.
Lëvizja Vetëvendosje, Guxo e Alternativa po konsideron se nuk ka nevojë për marrëveshje politike për ta zgjedhur kryetarin e Kuvendit, ndërkohë disa përfaqësues të partive tjera kanë paralajmëruar se nuk mund të zgjedhjet kryetari pa marrëveshje politike.
Filloi seanca e 24-të për konstituimin e Kuvendit
Ka nisur seanca e 24-të me radhë për konstituimin e Kuvendit.
Kjo seancë është duke u drejtuar nga deputeti më i vjetër në moshë, Avni Dehari dhe deputetja më re në moshë, Sala Jashari. /21Media
Kadrijaj: Është e pakuptimt tendenca e 24-të për zgjedhjen e kryeparlamentares, VV duhet të reflektoj
Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj për RTV21 lidhur me konstituimin e Kuvendit ka thënë se duhet të ketë qëndrim nga Vetëvendosje për reflektim.
“Në fakt duhet të ketë qëndrim nga LVV që ata duhet me reflektu, Aleanca ka jepë alternativa poashtu me sa kam parë nga deklaratat e PDK-së poashtu kanë alternativa”, tha ajo.
Kadrijaj tentimin e 24-të për konstituimin e Kuvendit dhe për zgjedhjen e kryeparlamentares e vlerësoi si të pakuptimt.
“Është e pakuptimt tendenca e 24-të për zgjedhjen e kryeparlamentares dhe për konstituimin e Kuvendit, ska ndodhur në asnjë vend demokratik, ska ndodhur as në Kosovë. Ky është rasti i parë”, deklaroi ajo. /21Media
Balje: Situatën e njëjtë e kemi në Kuvend
Deputetja Duda Balje për RTV21 ka thënë se nuk pret ndryshim të situatës për konstituimin e Kuvendit.
“Jo shumë dmth, praktikisht situatën e njëjtë kemi, ose unë nuk kam informacione por nuk jam duke pritur shumë”, tha ajo.
Balje e pyetur për ndryshimin e qëndrimit për ‘koalicion’ ajo tha se nuk ka ndryshim. /21Media
Zemaj: Qëllimi i LVV-së tashmë është kthyer edhe në degradim institucional
Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj për RTV21 ka thënë se nuk do të ketë ndonjë zhvillim të ri sot për tentimin e 24-të për konstituimin e Kuvendit.
“Nuk mendoj që ka ndonjë zhvillim të re nga ajo që kemi pjesë të informacioneve publike, mund të themi që ky qëllim tash i LVV-së është kthyer edhe në degradim institucional”, tha ai.
Sa i përket votimit të fshehtë ai tha se nuk ka ndonjë ndryshim qëndrimesh. /21Media
Sot tentativa e 24-të për konstituimin e Kuvendit
Deputetët e Kuvendit të Kosovës të shtunën do të përpiqen edhe një herë të arrijnë konstituimin e legjislaturës së nëntë. Kjo do të jetë përpjekja e 24-të.
Në seancën e 29 majit, deputetët refuzuan të votonin për të disatën herë formimin e një komisioni për votimin e fshehtë për kryeparlamentar, propozuar nga kryesuesi i seancës, Avni Dehari, pas dështimit të njëpasnjëshëm të Albulena Haxhiut për t’u zgjedhur kryeparlamentare.
Ndërkaq votimi i fshehtë është kundërshtuar nga partitë që ishin në opozitë në legjislaturën e kaluar, e këtë edhe e kanë dërguar në Gjykatë Kushtetuese.