“Unë jam UÇK”, shqiptarët u bënë bashkë në Tiranë për të kërkuar drejtësi për çlirimtarët

(Lajm i përditësuar)

Përfundoi protesta “Edhe unë jam UÇK” në Tiranë e cila u mbajt në mbështetje të ish krerëve të UÇK-së të cilë po gjykohen në Hagë.  Pas protestës u paralajmërua shfaqja e një filmi dokumentar që dokumenton masakrat e regjimit të Millosheviqit në Kosovë.


Ahmeti: Liria e Hashimit, Kadriut, Rexhepit, Jakupit e të tjerëve duhet të vijë menjëherë

Një nga themeluesit e UÇK-së, Ali Ahmeti, ka bërë thirrje për unitet mes shqiptarëve në mbrojtje të vlerave të luftës dhe të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke theksuar se “liria e Kosovës nuk duhet të shndërrohet në arenë për politika individuale e partiake”.

“Kështu qofshim përherë, Tirana, Prishtina e Shkupi. Po ngrisim zërin për drejtësi, për respekt, për luftën tonë të drejtë, për liri, demokraci, pavarësi dhe miqësi me SHBA-në e Evropën”, ka thënë Ahmeti gjatë tubimit.

Ai theksoi se zanafilla e krijimit të Gjykatës Speciale lidhet me “raportimet e rreme ruso-serbe për trafikim organesh”, të cilat, sipas tij, ishin të pavërteta dhe u hodhën poshtë nga Tribunali i Hagës.

“Dick Marty e riaktualizoi këtë temë me porosi ruso-serbe dhe inicioi raportin në Këshillin e Evropës që më pas detyroi themelimin e Gjykatës Speciale. Kjo gjykatë u krijua nga vetë Kosova për t’ia pamundësuar Serbisë ta themelonte përmes Rusisë”, theksoi Ahmeti.

Ai shtoi se, pas rrëzimit të akuzave për trafikim organesh, prokuroria ndryshoi drejtim duke ngritur aktakuza të reja “në ditën kur po nënshkruhej marrëveshja për njohje të ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë në Uashington”.

Sipas Ahmetit, Ushtria Çlirimtare e Kosovës “ka respektuar të gjitha konventat ndërkombëtare për luftën dhe nuk ka shkelur ligjet e luftës”.

“Liria e Hashimit, Kadriut, Rexhepit, Jakupit e të tjerëve është e vonuar dhe duhet të vijë menjëherë”, theksoi ai.

Në fund, Ahmeti u bëri thirrje forcave politike shqiptare që të shmangin përçarjet dhe të ruajnë unitetin kombëtar.


Zëri i Shkurte Fejzës bashkon protestuesit në Tiranë: “Mora fjalë” për UÇK-në

Këngëtarja e njohur shqiptare, Shkurte Fejza, është ngjitur në skenën e protestës gjithëkombëtare që po mbahet në Tiranë në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët po gjykohen në Hagë.

E pritur me duartrokitje nga pjesëmarrësit, Fejza ka shprehur mirënjohje ndaj shqiptarëve për bashkimin e tyre në këtë protestë.

Në vazhdim, ajo ka interpretuar këngën “Mora fjalë”, një prej krijimeve më të njohura të repertorit të saj, që u shoqërua me entuziazëm nga turma e mbledhur në sheshin “Skënderbej”./21Media


Begaj për protestën në Tiranë: Askush nuk mund të zhbëjë trashëgiminë e UÇK-së

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj ka reaguar për protestën e sotme që po mbahet në Tiranë në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen në Hagë.

Presidenti Begaj ka shkruar në Facebook se UÇK-ja është themeli i lirisë së Kosovës.

Sipas tij, UÇK është krenari e historisë sonë kombëtare.

Begaj ka shkruar po ashtu se askush nuk mund të zhbëjë këtë trashëgimi trimërie, sakrifice e heroizmi.

“UÇK-ja është themeli i lirisë së Kosovës. Ajo është krenari e historisë sonë kombëtare. Askush nuk mund të zhbëjë këtë trashëgimi trimërie, sakrifice e heroizmi”, shkruan Begaj.

Në protestën e sotme në Tiranë po marrin pjesë mijëra qytetarë nga Kosova, Shqipëria dhe rajoni.

“Sot UÇK-ja, nesër e gjithë historia jonë”, “Ruajeni shtetin, nderoni sakrificën”, “Liri për çlirimtarët”, janë disa nga mbishkrimet e shqiptarëve nga të gjitha trevat që po mbajnë në duar në protestën gjithëkombëtare. Numër i madh i tyre janë mbledhur pranë sheshit “Skenderbej” në protestën gjithëkombëtare me thirrjen “Drejtësi për çlirimtarët”.

Një tjetër protestë e madhe është mbajtur më 14 shtator në qytetin holandez në Hagë, ku me mijëra shqiptarë u mblodhën nga Evropa, Amerika por edhe Kosova qe të kërkojnë drejtësi për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kjo protestë u organizua një ditë para se të degjohet dëshmitari i parë i mbrojtjes në rastin e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.


Moisiu: Liria e Kosovës nuk është dhuratë, ajo u fitua me gjak

Ish-presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu, ka thënë se luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk kanë kryer krime, por kanë kryer detyrën më të lartë që e njeh historia – çlirimin e Kosovës dhe mbrojtjen e popullit.

Në protestën në Tiranë, në mbështetje të ish-udhëheqësve të UÇK-së që po gjykohen nga Gjykata Speciale në Hagë, Moisiu ka thënë se tubimi është me qëllimin për të mbrojtur dinjitetin kombëtar e të ngrihet zëri kundër padrejtësive që po u bëhet ish-udhëheqësve të UÇK-së.

“Më 2022, ishim në Hagë në dhomat e paraburgimit për t’u takuar personalisht me presidentin Thaçi, me Jakup Krasniqin, Kadri Veselin dhe Rexhep Selimin. Në takimin me këta burra kuptova dhe pashë se ata trima nuk ishin frikësuar, por janë burra të fortë që qëndronin të qetë e të gatshëm për të sakrifikuar për të pastruar luftën e UÇK-së dhe gjithë popullit kosovar, nga njolla që padrejtësisht po përpiqen t’i japin ata që s’ua duan të mirën shqiptarëve. Ata nuk kanë kryer krime, por kanë bërë detyrën më të lartë që njeh historia bashkëkohore – çlirimin e Kosovës dhe mbrojtjen e popullit të vet”, ka thënë Moisiu.

Ai ka shtuar se ish-udhëheqësit e UÇK-së po mbahen pa prova në paraburgim.

Ka theksuar se është koha që të mos heshtet më.

“Liria e Kosovës nuk është dhuratë. Ajo u fitua me gjak me sakrifica e vendosmëri ndaj sot më shumë se kurrë duhet të jemi të vendosur dhe të bashkuar për të mbrojtur të ardhmen e kombit tonë”, ka thënë ai.


Edi Rama: Zemra mal

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar për protestën në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së, e cila po mbahet në Tiranë.

Në një shkrim të shkurtër në rrjetin sociale “Facebook”, Rama shkroi: Zemra mal.

Në këtë protestë gjithëkombëtare po marrin pjesë mijëra shqiptarë nga e gjithë bota.


Gucati: Mbrojmë luftën e shenjtë të UÇK-së

Kryetari i OVL-UÇK, Hysni Gucati, fjalën e tij në protestën në Tiranë, në mbështetje për çlirimtarët e Kosovës, e nisi me brohoritjet për katërshen e UÇK-së, që po mbahen në paraburgim në Hagë.

Gucati thotë se përmes kësaj proteste, populli ka ngritur zërin për drejtësi.

“Ne sot po protestojmë për të ngritur zërin për drejtësi. Jemi këtu që të mbrojmë luftën e shenjtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që të mbrojmë gjakun e derdhur për liri, që të mbrojmë nderin e çlirimtarëve tanë. UÇK-ja nuk ka nevojë të dëshmojë se ka qenë ushtri çlirimtare, këtë e ka dëshmuar historia, e kanë dëshmuar varret e dëshmorëve të kombit”, u shpreh ai.

Ai shtoi se proceset në Hagë janë të padrejta.

“Nuk do ta lejojmë të përdhoset emri i komandantëve tanë të shenjtë. Kjo protestë s’ka lidhje me politikën. Kjo është protestë e popullit shqiptar. S’po kërkojmë mëshirë, por drejtësi. Tirana është sot kryeqyteti i të gjithë shqiptarëve. Kosova ka luftuar për çlirim, nuk ishim kriminelë. Gjykata Speciale ka humbur çdo besim të shqiptarëve. Proceset në Hagë janë të njëanshme dhe të padrejta. Liri për çlirimtarët tonë”, ka deklaruar Gucati.


Me himnin kombëtar, nis protesta për UÇK-në në Tiranë

Ka nisur protesta në Tiranë kundër padrejtësive të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Protesta po mbahet në Sheshin “Skënderbe” në Tiranë, shesh ky i cili është i mbushur plot me qytetarë.


Shkurte Fejza e emocionuar për performancën në protestë: Më vjen keq që jemi mbledhur për një padrejtësi

Këngëtarja Shkurte Fejza, e cila sot performon në protestën në Tiranë, në një prononcim për RTV21 u shpreh e emocionuar dhe krenare që është pjesë e kësaj kauze.

“Më vjen keq se sot jemi mbledhur për një padrejtësi që gjithë populli e ndien në kurrizin e vet, sepse ne jemi ata që e kemi përjetuar luftën, sepse askush më mirë se ne nuk e di se kush është fajtori. Prandaj më vjen keq ky proces që po ndodh, se është proces i padrejtë. Pres prej të gjithëve që Kosovës t’i falim dashni, respekt, shtetndërtim, shëndetësi të mirë, arsim të mirë, rend të mirë shoqëror për gjithë ata njerëz që janë të sakrificës, që jetojnë aty, në veçanti t’i kthejmë ata që janë jashtë vendit.”, tha ajo./21Media


Protesta në përkrahje të ish-krerëve të UÇK-së, Endrit Thaçi në mesin e qytetarëve të shumtë

Djali i ish-presidentit Hashim Thaçi, Endrit Thaçi, ndodhet në mesin e protestuesve të shumët në përkrahje të ish-krerëve të Ushtrisë së Çlirimtare të Kosovës që po mbahen padrejtësisht në Hagë.

Ai para mediave falendëroi kryeministrin shqiptar, Edi Ramën dhe Taulant Ballën si dhe gjithë qytetarët pjesëmarrës.

Një numër i madh qytetarësh nga të gjitha trojet janë mbledhur në tashmë në sheshin “Skëndrebej” në Tiranë, ku pas pak do të nisë protesta.

Protesta në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi janë mbajtur më 7 gusht në Prishtinë dhe 12 shtator në Hagë.


Policia e Shtetit tregon planin e masave për protestën në mbështetje të UÇK-së

Policia e Shqipërisë ka publikuar planin e masave për protestën që pritet të mbahet këtë të premte, më 17 tetor, në orën 17:00, në sheshin “Skënderbej” në Tiranë, në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Sipas autoriteteve shqiptare, protesta do të shoqërohet me masa të shtuara sigurie dhe kufizime të përkohshme të qarkullimit në disa akse kryesore të kryeqytetit. Konkretisht, do të bllokohet përkohësisht qarkullimi në Bulevardin e Ri, gjatë zhvillimit të tubimit, nga ora 17:00 deri rreth orës 19:00.Policia e Tiranës njofton se, përveç protestës së sotme, janë parashikuar masa edhe për dy aktivitete të tjera me pjesëmarrje të lartë që do të zhvillohen në fundjavë: “Maratona Fan Run” dhe “Maratona e Tiranës 2025”.Qytetarët këshillohen të shmangin lëvizjen me automjete në zonat ku do të ketë kufizime, të ndjekin rrugë alternative dhe të respektojnë udhëzimet e punonjësve të policisë që do të jenë të pranishëm në terren.


Sot protesta për UÇK-në, transmetohet live në RTV21

Nga ora 17:00 në Tiranë do të mbahet protesta me thirrjet për drejtësi ndaj ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët mbahen në paraburgimin e Hagës.

Protesta do të transmetohet live në RTV21.


“As shiu nuk na ndal”, përkrahësit e UÇK-së protestojnë në Tiranë

Përkrahës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë mbledhur sot në zemër të Tiranës, në një protestë të organizuar nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së.

Protesta, e tretë me radhë, sipas organizatorëve, ka për qëllim të tregojë unitet mbarëkombëtar dhe të kërkojë drejtësi për ish-pjesëtarët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë.

Kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, në një deklaratë për RTV21, tha: “Kjo është protesta e tretë me radhë dhe nuk besoj se shiu apo moti i keq do t’i ndalë qytetarët, njësoj siç nuk na ndali as gjatë luftës.”

Ai shtoi se pjesëmarrja e figurave të rëndësishme kombëtare e bën këtë protestë edhe më domethënëse.

“Është e rëndësishme që sot këtu janë edhe  Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe ish-Presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu, i cili do të mbajë edhe një fjalim,” theksoi Gucati.

Sipas tij, protesta ka karakter gjithëkombëtar dhe është vetëm një ndër disa që do të pasojnë. “Kjo është një protestë bashkimi, protestë që do të pasohet nga dy të tjera në ditët dhe javët në vijim,” tha ai./RTV21/21Media

 


Musliu thirrje qytetarëve për pjesëmarrje në protestën në Tiranë: Kulmi i padrejtësisë në Hagë është arritur

Në protestën gjithëkombëtare në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) e cila do të mbahet sot pasdite në Tiranë, pjesëmarrëse është edhe deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimeve Musliu e cila bëri thirrje që sa më shumë qytetar t’i përgjigjen kësaj proteste.

Ajo pret nga kjo protestë që zëri për drejtësi të shkoj tek drejtësia ndërkombëtare, pasi siç potencoi Musliu padrejtësia në Hagë ka arritur kulmin.

“Pres që kjo protestë ta dërgoj zërin atje ku duhet në veshët e drejtësisë ndërkombëtare, sepse kulmi i padrejtësive në Hagë është arritur tashmë. Uroj që kjo protestë të jetë e fundit, krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të kthehen në Kosovë triumfator, sepse ata janë triumfator, ata nuk janë kriminel, nuk kanë bërë krime kanë mbrojtur popullin shqiptar dhe qytetarët e Kosovës nga shfarosja gjenocidiale”, tha ajo.

Sot nga ora 17:00 në sheshin “Skënderbej” në Tiranë do të mbahet protesta gjithëkombëtare në përkrahje të ish-krerëve të UÇK-së të cilët po gjykohen në Hagë.

Në këtë protestë pritet të marrin pjesë një numër i madh i qytetarëve, derisa mbi 60 autobusë me qytetarë nga Kosova janë nisur drejt kryeqytetit shqiptar për të marr pjesë në këtë protestë.

Një protestë e tillë për të kërkuar drejtësi për krerët e UÇK-së ishte mbajtur në gusht në Prishtinë dhe më 14 shtator në Hagë.


​Atmosfera para protestës në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së në Tiranë

Numri i protestuesve vazhdon të shtohet në sheshin “Skënderbej” para fillimit të protestës së madhe në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Tiranë.

Pamjet e RTV21 tregojnë atmosferën, e cila po mbretëron në kryeqytetin shqiptar.


Nga Amerika në Tiranë, mesazhi i Bujar Hasanit për ish-krerët e UÇK-së

Bujar Hasani, president nderi i Shoqatës “Skënderbeu” në Amerikë, po merr pjesë në protestën e organizuar në Tiranë në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po përballen me drejtësinë në Hagë.

“Në emër të tyre kam ardhur këtu t’i përshëndes gjithë kombin shqiptar, t’i përshëndes të gjithë çlirimtarët e Kosovës. Liri për çlirimtarët e Kosovës, liri dhe drejtësi, rroftë kombi shqiptar, rroftë Kosova motër”, tha Hasani.


Vasfije Krasniqi: Me i tregu botës që duhet me u dënu Serbia

E mbijetuara e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, Vasfije Krasniqi Goodman po merr pjesë në protestën e mbajtur në Tiranë në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së.

Ajo për RTV21 u deklarua se Ushtria e Çlirimtare e Kosovës ka vlerë.

‘’Kam ardhur për të protestuar ne jemi të gjithë me i tregu botës që duhet me u dënu Serbia, Ushtria jonë ka vlerë dhe është ushtria e Kombit’’, tha shkurt Krasniqi./RTV21/21Media


Me flamujt kuq e zi dhe simbolet e UÇK-së, veturat nga Kosova nisen për në Shqipëri

Vetura nga Kosova me flamujt kuq e zi dhe me tri germat “UÇK” shihen në drejtim të Shqipërisë.

Sot qytetarë nga gjitha trojet shqiptare do të bëhen bashkë në sheshin “Skenderbej” në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë. Nga Shqipëria do të jehojnë thirrjet e shqiptarëve “Drejtësi per çlirimtarët”.

Nga Kosova në drejtim të Hagës, qytetit holandez, të mërkurën janë nisur edhe rreth 150 motoristë shqiptarë nga vende të ndryshme të Kosovës me bluza të veshura me mbishkrime “Liria ka emër”. Nga Haga, marshi i tyre do të vijojë edhe drejt Brukselit.

Përkrahje për protestë kanë deklaruar politikanë të ndryshëm shqiptarë nga Kosova dhe Shqipëria, teksa nga Kosova pritet të nisen rreth 60 autobusë me qytetarë që do t’i bashkohen protestës në Tiranë.

Autoritetet në Shqipëri dje kanë deklaruar se ‘Rruga e Kombit’ do të jetë pa pagesë për qarkullim sot me 17 tetor për të gjithë qytetarët në shenjë solidarizimi me protestën.

Kujtojmë se protestë në përkrahje të ish krerëve të UÇK-së u organizua edhe në Prishtinë dhe në Hagë.


Sot protesta në Tiranë në përkrahje të ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë

Sot më 17 tetor, nga ora 17:00 sheshi “Skënderbej” në Tiranë do të jehojë nga thirrjet për drejtësi ndaj ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët mbahen në paraburgimin e Hagës.

Protesta me moton Liria ka emër, drejtësi për çlirimtarët në Tiranë pritet të jetë ndër më madhështorët ndonjëherë në përkrahje të krerëve të UÇK-së, me pjesëmarrje të qytetarëve, shoqërisë civile dhe figurave të njohura politike nga trojet shqiptare.

Qytetarët nga të gjitha trevat shqiptare po mobilizohen për të marrë pjesë në këtë tubim të cilin e shohin si detyrim moral dhe kombëtar ndaj atyre që udhëhoqën luftën për liri e sot po mbahen padrejtësisht në Hagë.

Përkrahje për protestë kanë deklaruar politikanë të ndryshëm shqiptarë nga Kosova dhe Shqipëria, teksa nga Kosova pritet të nisen rreth 60 autobusë me qytetarë që do t’i bashkohen protestës në Tiranë.

Autoritetet në Shqipëri dje kanë deklaruar se ‘Rruga e Kombit’ do të jetë pa pagesë për qarkullim sot me 17 tetor për të gjithë qytetarët në shenjë solidarizimi me protestën.

Kujtojmë se protestë në përkrahje të ish krerëve të UÇK-së u organizua edhe në Prishtinë dhe në Hagë.

Back to top button