​Edi Rama: “Në sofrën e hënës”, përmbledhje refleksionesh e iftarëve të shtruar si Kryeministër

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ndau mëngjesin e sotëm një videokartolinë nga mbrëmja e prezantimit të librit të tij “Në sofrën e hënës”, një përmbledhje refleksionesh e iftarëve të shtruar në funksionin e Kryeministrit.

Me këtë rast kryeministri u uron të gjithë besimtarëve muslimanë agjërim të pranuar ndërsa ndodhemi në muajin e shenjtë të Ramazanit.

Vepra sjell në vëmendje dimensionin kulturor, social dhe shpirtëror të tryezës së iftarit, si një hapësirë që bashkon njerëz nga besime dhe përvoja të ndryshme, përtej dallimeve që mund t’i ndajnë në jetën e përditshme.

Gjatë fjalës së tij në aktivitetin promovues, kryeministri Rama theksoi se ideja për botimin e këtij libri lindi nga miq dhe bashkëpunëtorë myslimanë që agjërojnë, të cilët e nxitën të përmblidhte reflektimet e mbajtura në këto mbrëmje.

Sipas tij, tradita e iftarit përfaqëson jo vetëm një ritual fetar, por edhe një moment të rëndësishëm bashkimi dhe dialogu shoqëror, që pasqyron vlerat e bashkëjetesës dhe harmonisë fetare në Shqipëri, transmeton ATSH.

Libri është me pasthënien e profesorit të Universitetit të Tubingenit, Besnik Sinani si dhe me parathënie të ministrit të Jashtëm të Emirateve të Bashkuara Arabe, Abdullah Bin Zayed Al Nahyan.

Back to top button