Edi Rama: Pa Ibrahim Rugovën nuk do të kishte UÇK

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha se presidenti historik, Ibrahim Rugova, ka shënuar historinë e shqiptarëve duke lënë gjurmë të rralla në të.
Në konferencën ndërkombëtare “Rugova dhe Perëndimi”, të organizuar nga LDK-ja në shënim të 25 vjetorit të lirisë së Kosovës, Rama e cilësoi presidentin Rugova si një politikan shqiptar i papërsëritshëm.
“Ka shënuar historinë e shqiptarëve me një gjurmë sa të rrallë aq edhe të domosdoshme. Rugova, ishte akti themelues i Kosovës të lirë të pavarur dhe demokratike…. Pati guximin e gjeniut për faktin se nuk rrezikoi jetën por rrezikoi diçka edhe më të rëndësishme që jeta krijon dhe lë pas: personalitetin. Pa Ibrahim Rugovën nuk do të kishte pasur Ushtri Çlirimtare të Kosovës sepse pa luftën që e filloi me paqe s’do të ishte arritur kurrë paqja e fituar në luftë”, tha ndër të tjera kryeministri i Shqipërisë, Rama.
“Ne duhet të sjellim Evropën në Ballkan shumë më parë sesa të çojmë Ballkanin në Evropë dhe për këtë s’ka burim më frymëzues nga aktualiteti shqiptar i pas rënies së diktaturës në Shqipëri dhe pas rënies se Jugosllavisë dhe shpalljes së pavarësisë së Kosovës sesa jeta dhe vepra e Ibrahim Rugovës”, shtoi ai./21Media
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?