Ekip tjetër i FSK-së niset për Turqi, marrin pajisje speciale me vete

(Lajm i përditësuar)
Një tjetër ekip i FSK-së sonte është nisur për Turqi për t’iu bashkuar të tjerëve në ndihmë të njerëzve që po ballafaqohen me pasojat e tërmetit.
FSK ka njoftuar se ky grup përbëhet nga oficerë e nënoficerë, dhe se janë të furnizuar me pajisje speciale të punës, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
“Është nisur sot edhe një ekip e Forcës së Sigurisë së Kosovë, për të mbështetur operacionet e Kërkim-Shpëtimit të kontingjentit të FSK-së, në Zonën e Operacionit në Republikën e Turqisë. Ekipi i përbërë nga oficer e nënoficer do t’i bashkohet kontingjentit për të mbështetur operacionet me personel dhe pajisje specialistike të punës që do të ndihmojnë në zhvillimin sa më efikas të operacioneve”, thuhet në njoftim në Facebook.
Ekipit të FSK-së në Turqi i bashkohet sonte edhe një grup tjetër
Sonte Kontigjentit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, që është dërguar në Turqi për të ndihmuar me viktimat e tërmetit,  do t’i bashkohet edhe një ekip tjetër.
Kështu u bë e ditur përmes një komunikate nga Kryeministria e Kosovës, pas vizitës së kryeministrit Albin Kurti në bazën ushtarake të KFOR-it turk në Prizren.
Në komunikatë thuhet se Kosova do të vazhdojë t’i japë mbështetje Turqisë, dhe se ekipit të FSK-së sonte i bashkohet edhe një tjetër grup nga Garda Kombëtare.
“Kontingjenti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, i përbërë nga specialistë të kërkim-shpëtimit urban, mjekësisë emergjente dhe njësitet e K9, tashmë janë në zonat e goditura nga tërmeti. Ndërkaq, sonte ekipit të FSK-së në Turqi do t’i shtohet edhe një grup tjetër nga garda kombëtare”, thuhet në njoftim.
Ekipi i parë i kërkim-shpëtimit i FSK-së u nis për në Turqi më 6 shkurt, derisa dy ditë pas shkuarjes, ata ia dolën ta nxjerrin nga rrënojat një foshnje të vogël 2-vjeçare bashkë me nënën e tij./21Media

Back to top button