Ekspertët konstatojnë se të akuzuarit Naim Murseli dhe Granit Plava s’kanë çrregullime mendore

(Lajm i përditësuar)
Ekspertët konstatojnë se të akuzuarit Naim Murseli dhe Granit Plava s’kanë çrregullime mendore
Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të hënën, në gjykimin ndaj Naim Murselit, Granit Plavës dhe Kushtrim Kokallës, janë dëgjuar ekspertetët e psikiatrisë pranë Institutit të Psikiatrisë Forenzike të Kosovës, Dr. Shpend Haxhibeqiri dhe Dr. Bujar Obërtinca. Ekspertët konstatuan se të akuzuarit Murseli dhe Plava nuk kanë çrregullime mendore.
Naim Murseli, Granit Plava, Kushtrim Kokalla dhe Tom Dodaj, ngarkohen për rastin e vrasjes së Liridona Ademajt më 29 nëntor 2023, raporton “Betimi për Drejtësi”
Fillimisht, në këtë seancë është dëgjuar eksperti Haxhibeqiri lidhur me ekzaminimin e të akuzuarit Murseli, kurse eksperti Obertinca para trupit gjykues dha përgjigje lidhur me ekzaminimin e të akuzuarit Plava.
Eksperti Haxhibeqiri duke dhënë sqarime lidhur me ekspertizën ndaj të akuzuarit Murseli, theksoi se në këtë ekspertizë u janë referuar çrregullimeve afatgjate dhe atyre afatshkurta.
“Këtu jemi referuar se çrregullimi afatgjatë prej fëmijërisë e deri tani nuk janë shfaqë asnjë element dhe nuk na është shfaq asnjë dokument që vëteton këtë çrregullim apo problem të shëndetit mendor, dhe afatshkurtër është pjesa që ka të bëjë prej momentit të arrestimit e deri te momenti i ekzaminimit”, tha Haxhibeqiri.
Haxhibeqiri gjatë sqarimit të ekspertizës dha detaje të ekzaminimit, që sipas tij është bazuar në shkresat e lëndes dhe vrojtimit të të akuzuarit Murseli në këtë rast, i cili kishte spjeguar ngjarjen edhe figurativisht kishte demostruar se cilat veprime i kishte ndërrmarrë.
“Zotri Murseli ka qëndruar pa ndonjë problem ose vështirësi gjatë ekzaminimit psikatrik edhe pse në momente për arsye të përshkrimit të ngjarjes, për të kuptuar ne situatën në të cilën ka ndodhë rasti, ka pasur ndërprerje edhe ka pasur ndonjë shqetësim, por jo i formës që do të na pengonte ne në punën tonë apo në vlerësimin tonë”, tha Haxhibeqiri.
Pyetje për eksperitn Haxhibeqiri parashtroi edhe vetë i akuzuari Murseli, i cili referuar titujve të gazetave, sipas tij, konkretisht pyeti ekspertin nëse raporti thotë se ai e ka vrarë gruan e tij. Ndërsa, eksperti u përgjigj duke theksuar se një raporti i tillë për shkak të të dhënave sensitive nuk mund të bëhet publik nga Instituti.
“Në asnjë moment, në asnjë rresht të ekspertizës sonë nuk është deklaruar kjo të cilën e ceku zotri Murseli”, tha Haxhibeqiri.
Seanca vazhdoi me dëgjimin e ekspertit Obertinca, i cili u deklarua lidhur me ekspertimin e të akuzuarit Plava. Lidhur me ekspertizën e përpiluar, eksperti tha se e tërë ajo që është përshkruar në ekspertizë do të thotë se Plava gëzon shëndet të plotë mental.
“E tërë kjo, domethënë që i njëjti gëzon shëndet të plotë mental dhe veprimet e tij nuk kanë qenë të ndikuara nga ndonjë proces patologjik psikik”, tha Obertinca.
Eksperti u pyet edhe lidhur me aksidentin të cilin i akuzuari Plava e kishte pësuar kohë më parë dhe nëse mund të ketë ndikuar në ndonjë çrregullim, për të çka eksperti përjashtoi një mundësi të tillë, pasi që sipas tij, ishin njoftuar lidhur me një ngjarje të tillë dhe të njëjtit i ishte bërë edhe ekzaminim radiologjik.
“Ky aksident ka kaluar pa ndonjë dëmtim në strukturë, që domethënë se truri i tij funksionon mirë dhe pa telashe”, tha ndër të tjera Obërtinca.
Eksperti po ashtu dha edhe arsyet e përjashtimit të aksidentit si mundësi për çrregullime.
“Ekipi vlerësues nuk ka mujt me gjetë, ka përjashtu ndikimin e faktorit aksident në çrregullimin e mundshëm psikik, arsyet janë aktiviteti i pergjegjshem mjekesor, aftësia e tij analitike, aftësia ekzekutive, aftësia për të përcjellë me fjalë ndjenjat, logjika e tij, të gjitha këto tregojnë se në aspektin kognitiv ai aksident nuk ka pasur ndikim pa marrë parasysh pamjeve shokuese të cilat gjenden në shkresat e lëndës”, tha Obertinca.
Ndërsa, mbojtësi i të akuzuarit Plava, avokati Skender Gojani pyeti ekspertin lidhur me trajtimin e aaspekteve specifike për të mbrojturin e tij, duke iu referuar substancave narkotike dhe aksidentit të ndodhur.
Për këtë, Obertinca tha se Plava kishte deklaruar se është përdorues i substancave narkotike dhe alkoolit, por gjatë ekzaminimit nuk kishte manifestar simptoma të ndërprerjes së abuzimit me këto substanca.
“Gjatë vlerësimit psikiatrik i ekzaminuari ka deklaruar se është përdorues i substancave psikoaktive të kokainës dhe alkoolit, por në kohën e kryerjes së ekzaminimit nuk ka manifestu simptoma të ndërprejes të abuzimit me subsatnaca narkotike, ndërsa sa i përket traumës te i njëjti nuk është identifikuar një fenomen i tillë”, tha Obertinca.
Po ashtu, lidhur me mjaftueshmërinë e ekzaminimit brenda përiudhës prej 15 ditësh, lidhur me çrregullimet impulsive, eksperti Obertinca tha se kjo kohë është e mjaftueshme, pasi që vëzhgimi në IPFK është 24 orësh.
Sipas planifikimit, në këtë seancë ishte ftuar edhe eksperti mjeko-ligjor Dr.Naim Uka, mirëpo kryetarja e trupit gjykues, gjyqtarja Fatime Dermaku njoftoi se nga i njëjti janë njoftuar se ndodhet në një kongres mjekësor dhe nuk mund të prezantojë në këtë seancë. Ndërsa, seancat e radhës do të vazhdojnë sipas planifikimit paraprak të kësaj Gjykate.
Haxhibeqiri: Sipas ekzaminimit psikiatrik, Naim Murseli nuk kishte asnjëherë probleme psikike
Ish- drejtori i Klinikës së Psikiatrisë Forenzike, Shpend Haxhibeqiri, ka nisur dëshminë e tij në seancës për rastin e Liridona Ademaj.
Naim Murselit, i akuzuar për vrasjen e Liridona Ademaj, i ishte bërë ekzaminimi psikiatrit muaj më parë në Klinikën e Psikiatrisë Forenzike, ku sipas këtij raporti nuk ishte konstatuar asnjë çrregullim mendor tek Murseli.
Haxhibeqiri në dëshminë e tij u shpreh se në çrregullimin afatgjatë prej fëmijë e deri tani nuk është shfaqur asnjë element që do ta mundësojë ndonjë problem dhe afatshkurtër është pjesa prej momentit të arrestimit deri tek ekzaminimit.
“Natyrisht ekzaminimi psikiatrit kryhet me biseda, vrojtim të sjelljeve, të folurit e të tjera dhe këto merren për bazë. Ne pikën 3 e kemi shpjeguar se kjo është bazuar në sjelljen e tij para gjatë edhe pas veprës”, ka thënë Haxhibeqiri.
“Qëndrimi i Murselit ka qenë koherent karshi gjendjes e situatës në të cilën ndodhej. Gjendja koherente do të thotë me e marrë për bazë të gjitha çështjet. Murseli ka qëndruar pa ndonjë telashe gjatë ekzaminimit edhe pse në momente për arsye të ngjarjes ka pasur ndërprerje dhe shqetesime”, tha ndër të tjera ai.
Vrasja e Liridona Ademajt, Naim Murseli dhe të tjerët dalin para Gjykatës
Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të hënën po mbahet seanca e radhës ndaj Naim Murselit, Kushtrim Kokallës dhe Granit Plavës.
Naim Murseli, Granit Plava, Kushtrim Kokalla dhe Tom Dodaj, ngarkohen për rastin e vrasjes së Liridona Ademajt më 29 nëntor 2023, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Tre të akuzuarit tashmë janë sjellë në sallën e gjykimit.
Në këtë seancë, do të dëgjohet grupi i ekspertëve të psikiatrisë: Shpend Haxhibeqiri, Ajet Bunjaku, Blerina Hoxha dhe Bujar Obërtinca.
Në seancë mungoi eksperti mjeko-ligjor Naim Uka, i cili e ka njoftuar Gjykatën se ndodhet në një kongres mjekësor në Turqi nga 22 deri më 28 shtator.
Dëshminë e ka nisur eksperti Shpend Haxhibeqiri.
Sot vazhdon gjykimi për rastin e vrasjes së Liridona Ademajt
Sot pritet që të vazhdojë gjykimi në rastin e vrasjes së Liridona Ademajt.
Kështu ka bërë të ditur vëllai i të ndjeres, Leonard Ademaj, i cili tha se seanca do të nisë nga ora 09:00, teksa i ka ftuar mediat që të jenë prezente.
“Ju njoftojmë se vazhdimi i gjykimit në rastin e vrasjes së më të dashurës tonë Liridona Ademaj vazhdon nesër ne ora 09.00. Shpresojmë që mediat do ta përcjellin seancën”, shkroi Ademaj.
Seanca e fundit në rastin e Liridona Ademajt ishte mbajtur më 14 korrik të këtij viti, ku pati dëshmuar pikërisht Leonard Ademaj, vëllai i të ndjerës.
Në fjalën e fundit me të përmbyllur dëshminë e tij, në rastin e vrasjes së motrës së tij Liridonës, ai kërkoi para trupit gjykues dënim kapital për dorasin.
Liridona Ademaj u vra më 29 nëntor të vitit 2023, në Bërrnicë të Prishtinës. Në mesin e të dyshuarve është edhe ish-bashkëshorti i saj, Naim Murseli.
Dyshohet se ai i kishte premtuar Granit Plavës, 30 mijë euro për ta kryer krimin e rëndë, ndërsa, i arrestuari tjetër për këtë rast është edhe Kushtrim Kokalla.