​Ekstradime në dy drejtime, një nga Gjermania në Kosovë, tjetri drejt Berlinit

Dy shtetas të Kosovës, të kërkuar me urdhërarreste ndërkombëtare, janë ekstraduar në dy procese të ndara ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë.

Policia e Kosovës njoftoi se më 11 shkurt 2026, përmes Drejtorisë për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor dhe në koordinim me institucionet e drejtësisë, është realizuar ekstradimi nga Gjermania në Kosovë i një shtetasi kosovar. Ai ishte arrestuar nga autoritetet gjermane pasi kërkohej me urdhërarrest ndërkombëtar të lëshuar nga institucionet e drejtësisë së Kosovës për veprën penale “lëndim i rëndë trupor”.

Pas ekstradimit, i dyshuari iu dorëzua njësive përkatëse të Policisë së Kosovës për vazhdimin e procedurave të mëtejme ligjore.

Ndërkaq, më 12 shkurt 2026, është realizuar edhe ekstradimi i një shtetasi tjetër kosovar nga Kosova për në Gjermani. Ai kërkohej nga autoritetet gjermane me urdhërarrest ndërkombëtar për përfshirje në veprat penale “vrasje në tentativë” dhe “grabitje”.

Sipas Policisë, të dy ekstradimet janë realizuar në bazë të legjislacionit në fuqi dhe marrëveshjeve ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë, si dhe falë bashkëpunimit të ngushtë ndërinstitucional.

Policia e Kosovës theksoi se do të vazhdojë bashkëpunimin dhe shkëmbimin e informacioneve me institucionet vendore dhe ndërkombëtare me qëllim të parandalimit, hetimit dhe zbulimit të veprimtarive kriminale, si dhe për gjurmimin dhe arrestimin e personave apo grupeve kriminale që veprojnë brenda dhe jashtë vendit.

Back to top button