Elezi për zgjedhjet e parakohshme: Organizimi i tyre brenda një periudhe të shkurtër, përbën sfidë për KQZ-në

Zgjedhjet e parakohshme në një periudhë përbëjnë sfidë për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, kjo pas dështimit të mandatarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtit, për të marrë votat e nevojshme në Kuvendin e Kosovës, pritet të sjellë zgjedhjet e dyta parlamentare brenda vitit 2025.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi për portalin rtv21.tv ka thënë se aktualisht janë të angazhuar në përmbylljen e procesit të zgjedhjeve lokale, duke shtuar se mbetën të përkushtuar për të përmbushur detyrimet kushtetuese nëse do të ketë edhe një proces të ri zgjedhor në këtë vit.

“Aktualisht, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është i angazhuar në përmbylljen e procesit të Zgjedhjeve Lokale dhe përgatitjet për raundin e dytë të zgjedhjeve për Kryetarë të Komunave. Ashtu siç kemi thënë çdo herë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mbetet i përkushtuar për të përmbushur detyrimet e veta kushtetuese dhe ligjore, në çdo moment kur një proces zgjedhor shpallet në mënyrë zyrtare”, tha Elezi.

Organizimi i një procesi të ri zgjedhor brenda një periudhe të shkurtër, sipas Elezit përbën sfidë për KQZ-në dhe stafin.

Ai shtoi se KQZ do të veprojë në përputhje me mandatin e saj ligjor, nëse vendoset mbajtja e zgjedhjeve të reja.

“Organizimi i një procesi të ri zgjedhor brenda një periudhe të shkurtër, sigurisht që përbën sfidë për KQZ-në dhe stafin e saj, veçanërisht për faktin se jemi ende në fazën aktive të administrimit të zgjedhjeve lokale. Por KQZ, si gjithmonë, do të veprojë në përputhje me mandatin e saj ligjor dhe do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme nëse vendoset për mbajtjen e zgjedhjeve të reja”, tha ai. /21Media

Back to top button