Elezi: S’ka rënë sistemi i rezultateve, por interneti i dobët në QKN e Prishtinës

Nuk ka ndonjë problem me funksionimin e platformës së rezultateve të KQZ-së, por, për shkak të internetit të dobët, në QKN e Prishtinës shpeshherë po ka probleme me transmetimin e pamjeve në televizorët/ekranet për vëzhguesit. Kështu ka bërë të ditur për portalin rtv21.tv zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi.
Në këto ekrane shfaqen pamjet nga kamera e vendosur në tavolinën e numërimit ku prezantohen fletëvotimet, për tu parë nga të gjithë.
“Pra, nuk ka rënë sistemi apo platforma e rezultateve, pasi ajo po funksionon pa asnjë problem dhe po mundëson këtë proces në Qendrat Komunale të Numërimit në komunat tjera, ashtu siç ka funksionuar edhe të dielën me transmetimin e rezultateve preliminare dhe statistikave tjera nga votimi”, ka thënë Elezi.
Më parë u raportua se ka rënë sistemi dhe se ende nuk kishte filluar numërimi i votave në kryeqytet.
Ai ka bërë të ditur se deri më tani, janë verifikuar rezultatet nga zgjedhjet për Kryetarë të Komunave, rezultatet e sibjekteve politike nga zgjedhjet për Kuvende Komunale si dhe janë numëruar votat për anëtarë të Kuvendeve Komunale nga mbi 200 vendvotime në nivel vendi./21Media
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?