Elshani për RTV21 thotë se situata e sigurisë në veri të Kosovës është e qetë

Policia e Kosovës të shtunën ka arrestuar tetë të dyshuar dhe ka konfiskuar armatim, përfshirë eksploziv, pas një operacioni të gjerë në veri në lidhje me një shpërthim në kanalin e Ibër-Lepencit në këtë pjesë të Kosovës.

Shpërthimi mbrëmjen e së premtes i shkaktoi dëme të konsiderueshme kanalit të ujit të Ibër-Lepencit në fshatin Varragë të komunës së Zubin Potokut, duke i nxitur autoritetet kosovare ta akuzojnë Serbinë për sulm “kriminal dhe terrorist” ndaj infrastrukturës jetike të vendit.

Por si është situata e sigurisë pas këtij sulmi e aksioneve të Policisë ka treguar zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani për portalin rtv21.tv.

Ai ka thënë se situata është e qetë.

“Situata është e qetë, policia vazhdon të kryej detyrat e veta të rregullta”, ka thënë Elshani për rtv21.tv.

Më herët, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Serbia është përgjegjëse për “sulm kriminal dhe terrorist”, i cili, sipas tij, ka synuar “ta dëmtojë infrastrukturën mbase më të rëndësishme” të vendit.

Megjithatë, Serbia i ka mohuar akuzat e autoriteteve kosovare.

Sulmi është dënuar nga bashkësia ndëkombëtare, e cila ka kërkuar që përgjegjësit të sillen para drejtësisë.

Bashkimi Evropian e cilësoi si sulm “terrorist” si dhe akt “sabotues” shpërthimin ndaj kanalit të Ibër-Lepencit./21Media

Back to top button