Eman Rrahmani shpallet “i padëshiruar në Kuvend” nga Kolektivi për mendim dhe veprim feminist

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Eman Rrahmani, është shpallur ”i padëshiruar në Kuvend” ng kolektivi për mendim dhe veprim feminist pasi doli kundër idesë që e drejta e fertilizimit të asistuar mjekësor t’u jepet edhe grave të pamartuara.
Kolektivi për mendim dhe veprim feminist reagoi ndaj Rrahmanit dhe deputetëve që mendojnë si ai.
“Porosi rrahmanëve të kuvendit e shoqërisë kosovare: nëse s’keni uterus, msheleni gojën! Eman Rrahmanit dhe Rrahmanëve të tjerë të kuvendit sonte ua lamë këtë porosi në muret e kuvendit. E po të njëjtën ua themi të gjithë atyre burrave të skandalizuar nga deklarata e Saranda Bugujevcit për shtatzëninë e saj përmes metodës IVF. Duke i qëndruar përkrah Sarandës e çdo gruaje tjetër në të drejtën e patjetërsueshme mbi trupin e tyre, ne ua rikujtojmë të gjithëve që nuk ua durojmë më moralizimet mbi trupat tanë. E drejta mbi trupat tanë na takon neve dhe vetëm neve!” thuhet në reagim.
Ky kolektiv e ka vlerësuar të rrezikshme deklaratën e deputetit Rrahmani duke shtuar se “vizioni patriarkal i Rrahmanit ka nxitur gjuhë urrejtjeje ndaj Sarandës dhe grave anembanë Kosovës dhe kësaj duhet t’i vijë fundi”.
“Ne sonte e shpallim Rrahmanin të padëshiruar në Kuvend dhe e paralajmërojmë atë dhe shokët e tij që ne do kundërvihemi fallocentrizmit të tyre e çdo tentative për të na shtypur dhe s’do ndalemi së thëni me zë të lartë që liria mbi trupin tonë na takon veç neve”, thuhet në reagim./21Media

Back to top button