Emiratet e Bashkuara Arabe vazhdojnë me ndihmat në Pejë e Skënderaj

Sipas Saeg-it, marrëdhëniet mes EBA-së dhe Kosovës janë gjithmonë në zhvillim e sipër

Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Naim Tërnava sot takoi shefin e kabinetit të ministrit të Financave të Emirateve të Bashkuara Arabe dhe njëherësh edhe anëtar i Fondacionit “Al Maktoum” nga Dubai Dr. Mirza As Saeg, ku u tha se po vazhdon përkrahja e emirateve për Kosovën.

Ternava gjatë një konference për media falënderoi Saeg-in për vizitën dhe ndihmën e vazhdueshme që Emiratet e Bashkuara kanë dhënë për shtetin e Kosovës dhe theksoi se këto shtete kanë qëndruar gjithmonë në krah të Kosovës, sidomos me ndihmat e tyre në kohën e luftës në ndërtimin e shkollave e spitaleve.

Myftiu i Kosovës, Tërnava tha se shteti i Emirateve të Bashkuara Arabe është shteti i parë, i cili e ka pranuar njohjen e Kosovës si shtet të pavarur.

Shefi i kabinetit të ministrit të Financave të Emirateve të Bashkuara Arabe dhe njëherësh edhe anëtar i Fondacionit “Al Maktoum” nga Dubai, Dr.Mirza As Saeg tha se ndjehet i nderuar që gjendet në Kosovë për të pasqyruar një punë që Emiratet e Bashkuara e kanë dhënë për Kosovën.

Saeg bëri të ditur se Kosova ka treguar gjithmonë një respekt e mikpritje të madhe për EBA-në dhe se kjo i obligon të insistojnë punën në Kosovë. Sipas tij, marrëdhëniet mes EBA-së dhe Kosovës janë gjithmonë në zhvillim e sipër dhe tha se kërkesat e kombeve të bashkuara nga EBA për humanizëm janë tejkaluar dyfish.

Saeg po qëndron në Kosovë bashkë me Përfaqësuesit e Emirateve të Bashkuara Arabe dhe po vizitojnë disa komuna, ndër to edhe komunën e Skënderajt, e cila sipas Saeg është simbol i qëndresës dhe rezistencës. Ai premtoi që investimet e radhës nga EBA do të jenë shumica për këtë komunë.

Saeg gjatë konferencës shtoi se në bashkëbisedim me myftiun Tërnava do të ndërmarrin në të ardhmen një projekt për pavarësimin e grave në rrobaqepësi dhe se për të ku është projekt i veçantë, sepse u mundëson 50 grave të arrijnë pavarësinë e grave, ndërsa theksoi se do t’i blejnë produktet që gratë do t’i prodhojnë në Kosovë.

Back to top button