Vrasja në Ferizaj, prokuroria kërkon paraburgim për dy të arrestuarit – jep detaje si rrodhi ngjarja

(Lajm i përditësuar)


Prokuroria Themelore në Ferizaj ka kërkuar nga gjykata caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditës ndaj të dyshuarve F.R., dhe J.M., për vrasjen e djeshme në Bibaj të kësaj komune.

Sipas prokurorisë, ekziston dyshimi se më 16 gusht të këtij viti, në rrugën “Engjëll Zefi”, i pandehuri F.R., “për motive të ulëta, me dashje që ta privojë nga jeta”.

“I pandehuri F.R., për motive të ulëta me dashje që ta privojnë nga jeta sapo vërejnë të ndjerin se hynë në parkingun e lartcekur, të pandehurit secili me automjete të veta ndalën në vendin e ngjarjes, ku i pandehuri J.M., në dorë ka mbajtur në mjet të fortë (teshlicë) dhe është vërsulur në drejtim të ndjerit, kurse i pandehuri F.R., me armën zyrtare automatike ka shtënë disa herë në të ndjerin S.S., dhe me atë rast ka vënë në rrezik edhe personat tjerë të cilët kanë qenë së bashku me të ndjerin”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Tutje, prokuroria tha se të pandehurit, në bashkëkryerje e kryen veprën penale “Vrasje e rëndë”.


Ende nuk dihen motivet që çuan në vrasjen e 89-vjeçarit, deklarohet Prokuroria për RTV21

Ende nuk dihen arsyet që çuan në vrasjen e 89-vjeçarit S.S. në fshatin Bibaj. Megjithatë, Prokuroria thotë se në koordinim me Policinë janë duke punuar në mënyrë intensive për ndriçimin e rrethanave të këtij rasti.

Prokuroria Themelore në Ferizaj për portalin rtv21.tv ka thënë se brenda afatit ligjor, ndaj dy të dyshuarve të cilët janë ndaluar me vendim te Prokurorit të Shtetit, sot gjate dites do të paraqesë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në Gjykatën kompetente.

Mbrëmjen e së premtes, në parkingun e sallës së dasmave “Fron Palace” një zyrtar policor, F.R., ka qëlluar për vdekje me armë zjarri një person.

Për “vrasje të rëndë” është ndaluar për 48 orë zyrtari policor, ndërsa po ashtu të premten është ndaluar edhe një person i dytë për bashkëkryerje të vrasjes.

Trupi i pajetë i 89-vjeçarit është dërguar për obduksion./21Media

Back to top button