Enis Osmani merr detyrën e nënkryetarit të Mitrovicës së Jugut

Enis Osmani është emëruar zyrtarisht nënkryetar i Komunës së Mitrovicës së Jugut, pas fitores së Faton Pecit në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale. Ky emërim e pozicionon Osmanin si një nga bashkëpunëtorët më të afërt të kryetarit të ri të komunës.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë Osmani përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ku ka shprehur mirënjohje të veçantë ndaj kryetarit Peci për besimin e dhënë. Ai ka theksuar se kjo detyrë përbën nderin më të madh në jetën e tij, por njëkohësisht edhe një përgjegjësi të madhe ndaj qytetarëve të Mitrovicës.

“Me ndjenjë të lartë përgjegjësie ju njoftoj se jam emëruar Nënkryetar i Komunës së Mitrovicës së Jugut. Ky është një obligim për t’i shërbyer interesit publik përmes një qeverisjeje të mirë, transparente dhe me llogaridhënie”, ka shkruar Osmani.

Ai ka vlerësuar bashkëpunimin shumëvjeçar me Faton Pecin, duke theksuar se marrëdhënia e tyre profesionale dhe miqësore, e ndërtuar për më shumë se një dekadë, do të vazhdojë në funksion të projekteve zhvillimore për qytetin.

Osmani ka garantuar se gjatë mandatit të tij çdo vendim dhe veprim do të jetë i orientuar nga interesi publik, duke e konsideruar qeverisjen e mirë si një kontratë të drejtpërdrejtë me qytetarët për shërbime cilësore dhe rritje të mirëqenies.

“Zotohem se çdo veprim imi do të udhëhiqet nga përgjegjësia dhe vendimmarrja në të mirë të të gjithë qytetarëve”, ka përfunduar ai, duke falënderuar qytetarët për mbështetjen dhe besimin.

Back to top button