Enrique: La Liga nuk mund të krahasohet me Premier Ligën angleze

Ish-mbrojtësi i krahut të majtë i Liverpoolit, Jose Enrique beson që La Liga nuk mund të krahasohet me Premier Ligën angleze, pas mungesave të dy yjeve Cristiano Ronaldo dhe Lionel Messi.
Ronaldo u largua nga Real Madridi drejt Juventusit në vitin 2018, para se këtë sezon të rikthehej te Manchester United, kurse Barcelona u detyrua që ta largojë Lionel Messin si lojtar të lirë për shkak të problemeve financiare.
Si rezultat i kësaj, Jose Enrique beson që klubet angleze do të kenë më shumë sukses në garat evropiane si ajo e Ligës së Kampionëve.
”Ronaldo nuk është më në Madrid, Messi nuk është te Barcelona. Dëgjoni, në shumë raste në TV publiku ka pasur dëshirë që t’i shikojë ato skuadra vetëm për ata të dy. Ky është realiteti. Dhe sigurisht, të ardhurat nuk janë si ato të kaluarat. Por, sigurisht, Premier Liga angleze është më e mirë, pavarësisht situatës me Covid-19. Shikoni Chelsean e cila e fitoi Ligën e Kampionëve dhe përsëri shpenzoi 100 milionë e më shumë euro, duke transferuar Lukakun. Kështu që nuk mund që t’i krahasosh në këto momente. Unë mendoj që ekipet më të forta, do të jenë ato anglezet, sigurisht në Ligën e Kampionëve”, ka thënë ish-mbrojtësi i Liverpoolit.
Largimi i dy superyjeve nga liga spanjolle ka ndikuar që La Liga të jetë më mbrapa se ligat tjera evropiane në aspektin financiar, veçanërisht në krahasim me Premier Ligën.

Back to top button