Enver Petrovci nderohet me çmimin për vepër jetësore

 

Në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, sot është mbajtur ceremonia e ndarjes së çmimeve vjetore për teatër.

Aktori Enver Petrovci, mori çmimin për vepër jetësore në fushën e teatrit për vitin 2020, për kontributin e tij të madh në zhvillimin e artit dramatik në Kosovë, kontribut i dhënë si aktor, profesor, dramaturg, regjisor dhe themelues i institucioneve teatrore në vend.

Çmimi për shfaqjen më të mirë iu dha “Zgjimi i Pranverës” të regjisores Zana Hoxha, kurse çmimi për regjinë më të mirë iu dha shfaqjes “Kthimi i Karl May” së regjisores Blerta Neziraj.

Armend Ismajli mori çmimi aktori më i mirë për rolin në shfaqjen ”Kthimi i Karl Majit”.

Ndërsa çmimi për prezantim të suksesshëm ndërkombëtar i është dhënë shtëpisë filmike ART.

Ministri i Kulturës Hajrullah Çeku, tha se juria profesionale dhe e pavarur ka kryer punën e saj në mënyrën e duhur.

“Si ministri dhe qeveri po mundohemi ta kryejmë një detyrë që e kemi para komunitetit të teatrit. Sot është rast ceremonial por po dua të theksoj se ne si qeveri do t’i japim rëndësi zhvillimit dhe organizimeve që prodhojnë veprimtari teatrale. Synojmë që të rrisim cilësinë”, tha ai.

Aktori Enver Petrovci tha se gjatë karrierës së tij ka marrë disa çmime artistike, porse çmimi më i madh për të mbetet një buqetë me lule nga një vajzë e vogël në Tiranë. Ndërsa çmimi i sotëm vjen menjëherë pas kësaj ngjarjeje.

Petrovci tha qe ky është çmimi i parë që iu është ndarë nga Qeveria e Kosovës.

Me rastin e ndarjes së këtyre çmimeve, me kërkesë të aktorit Astrit Kabashi u vendos që nga viti i ardhshëm të ndahet edhe çmimi për aktoren më të mirë.

Ndryshe, juria profesionale ishte e përbërë nga: regjisorët Ben Apolloni, Ilir Bokshi e Kushtrim Koliqi, si dhe aktorët Astrit Kabashi e Shengyl Ismaili./21Media

 

Back to top button