Era e fortë “hedh” parashutistin e Maqedonisë së Veriut në Pogradec, sportisti shpëton pa lëndime

Një parashutist i Maqedonisë së Veriut ka shpëtuar ditën e sotme pa lëndime, pasi era e fortë e hodhi në Pogradec.

Komandanti i Shën Naumit, të Maqedonisë së Veriut, ka njoftuar autoritetet shqiptare se një parashutist ishte ngritur në fluturim dhe, si pasojë e erës së fortë, kishte devijuar fluturimin dhe mund të kishte rënë në fshatin Alarup, Pogradec.

Policia ka shkuar në adresën e dhënë dhe kanë gjetur sportistin, i cili fatmirësisht ishte në gjendje shumë të mirë shëndetësore. Parashutisti u dërgua në pikën kufitare të Qafë Thanës, i cili më pas ka kaluar për në Maqedoninë e Veriut.

Njoftimi i policisë:

Policia Kufitare i shkoi në ndihmë një sportisti të Maqedonisë së Veriut, që fluturonte me paraglajder.
Shërbimet e Policisë reaguan me shpejtësi dhe profesionalizëm, duke bërë të mundur lokalizimin e tij.

Pas informacionit të marrë nga komandanti i Shën Naumit, të Maqedonisë së Veriut, se një parashutist ishte ngritur në fluturim dhe, si pasojë e erës së fortë, kishte devijuar fluturimin dhe mund të kishte rënë në fshatin Alarup, Pogradec, menjëherë shërbimet e Drejtorisë Vendore të Kufirit dhe Migracionit Korçë kanë shkuar në adresën e dhënë, kanë bërë të mundur lokalizimin e tij dhe kanë marrë kontakt me sportistin, shtetasin V. P., i cili ishte në gjendje shumë të mirë shëndetësore.

Nga ana e shërbimeve të DVKM Korçë, është bërë e mundur dërgimi i këtij shtetasi në PKK Qafë Thanë, i cili ka kaluar për në Maqedoninë e Veriut.

Sportisti falënderoi shërbimet e Policisë për reagimin e menjëhershëm dhe profesionalizmin e treguar.

Policia Kufitare mbetet e angazhuar maksimalisht në shërbim të qytetarëve, vizitorëve dhe turistëve, dhe fton këdo që ndodhet në nevojë të telefonojë në numrin pa pagesë 112.

Back to top button