Erdogan pas takimit me Kurtin: E mirëseardhur zbutja e tensioneve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë

(Lajm i përditësuar)


Erdogan: E mirëseardhur zbutja e tensioneve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, gjatë takimit  me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, ka theksuar  se rritja e vëllimit të tregtisë ndërmjet Turqisë dhe Kosovës duhet të shkojë nga 750 milionë dollaorë në mbi një miliard dollarë, transmetojnë mediat turke.

Sipas njoftimit të zyrës për media të presdencës turke  në takim janë trajtuar marrëdhëniet ndërmjet Turqisë dhe Kosovës, lufta në Palestinë si dhe çështjet rajonale dhe globale.

Erdogan duke folur për raportet tregtare ka thënë se dy vendet kanë potencial për të zhvilluar marrëdhëniet në shumë fusha, përfshirë në industrinë e mbrojtjes. Ai ka folur edhe për raportet Kosovë -Serbi duke konstatuar se ka zbutje.

“Është i mirëseardhur fillimi i zbutjes së tensioneve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por se është e rëndësishme që të sigurohet progres konkret lidhur me këtë çështje” thuhet në komunikatë.

Po ashtu Erdogan në takimin me Kurtin ka potencuar edhe “mbështetjen aktive që duhet t’i jepet Palestinës”.

Kurti pas takimit me Erdoganin: Diskutuam mundësitë e reja për bashkëpunim ekonomik dhe të mbrojtjes

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti,  ka dhënë detaje pas takimit që ka pasur me presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdogan.

Kurti ka thënë se me presidentin turk diskutuan për raportet mes dy shteteve dhe për mundësitë e reja sa i përket bashkëpunimit ekonomik dhe në fushën e mbrojtjes.

“Diskutuam marrëdhëniet dypalëshe dhe mundësitë e reja për bashkëpunim ekonomik dhe të mbrojtjes. Të hënën do të mbahet forumi i parë ekonomik për bizneset nga Kosova dhe Turqia, duke ofruar një shans për thellimin e lidhjeve dhe nxitjen e investimeve.”, ka shkruar Kurti.


Kurti – Erdogan takim me dyer të mbyllura, zgjati rreth dy orë

Kryeminsitri i Kosovës Albin Kurti u prit nga presidenti turk Recep Tayyip Erdogan në Kompleksin Presidencial.

Media turke “Yeni Safak”, raporton se takimi u mbajt me dyer të mbyllura dhe zgjati 1 orë e 50 minuta.

Sipas këtij medium në pritje morën pjesë edhe nënkryetari Cevdet Yılmaz dhe ministri i Mbrojtjes Kombëtare Yaşar Güler./21Media

Back to top button