Eriksen zbulon të ardhmen e tij

Mesfushori i Manchester United, Christian Eriksen, ka pranuar se dëshiron të largohet nga Premier League, ndërsa po përgatitet të mbyllë aventurën e tij me klubin anglez.
Lojtari danez është në fund të kontratës me Manchester United, e cila përfundon këtë muaj, dhe pritet të bëhet si lojtar i lirë, përcjellë KosovaPress.
Eriksen iu bashkua “Djajve të Kuq” në vitin 2022 dhe që atëherë ka zhvilluar 107 ndeshje, duke shënuar 8 gola. Në ditën e fundit të sezonit, ai i dha lamtumirën stadiumit “Old Trafford” në një moment emocional, duke mbyllur kështu një periudhë trevjeçare me klubin.
Në një intervistë për transmetuesin danez “TV 2 Sport”, 33-vjeçari u shpreh se dëshiron të largohet nga futbolli anglez dhe të kërkojë një sfidë të re jashtë vendit.
“Aktualisht nuk kam asgjë konkrete. Ka interes nga disa klube, por ende nuk jam afër nënshkrimit me ndonjërin prej tyre,” – tha ai.
“Fokusi im tani është te ndeshjet ndërkombëtare, dhe më pas të kaloj disa pushime të mira verore. Pastaj do të shohim se sa do të zgjasin këto pushime. Do të preferoja të largohesha nga Premier League.”
“Ndjej se kam dhënë gjithçka në Angli. Ka qenë një vend i mrekullueshëm për mua dhe familjen time, ku kemi kaluar shumë vite. Kur u largova nga Tottenham për te Interi, nuk ishte në plan që të kthehesha sërish në Angli. Që nga ajo kohë kam kaluar tre vjet e gjysmë këtu, ndaj mendoj se tani është momenti i duhur për të provuar diçka ndryshe.”
Eriksen aktualisht është i përqendruar te angazhimet me kombëtaren e Danimarkës, e cila do të përballet me Irlandën e Veriut dhe Lituaninë në ndeshjet e radhës. Pas kësaj, ai pritet të marrë një vendim për të ardhmen e tij, e cila, siç duket, do të jetë jashtë Premier League, ndërsa ai hyn në fazën përfundimtare të karrierës së tij si profesionist.