Escobar: Askush s’duhet të vritet apo lëndohet për shkak të targave

I dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar pas takimit me drejtuesit e institucioneve në Kosovë dhe Serbi, shpreson që nuk do të ketë një konflikt në veriun e Kosovës.
Ai, duke folur në një intervistë për mediumin serb N1, ka thënë se askush nuk duhet të vritet apo lëndohet për shkak të tabelave të automjeteve.
Kur është pyetur nëse ka potencial për përshkallëzim të konfliktit me një shtator apo ditëve në vijim, kur Qeveria e Kosovës planifikon të vendos reciprocitet ndaj Serbisë për çështjen e targave të automjeteve dhe dokumentacionit, Escobar ka thënë: “Shpresoj që jo”,
“Shpresoj që njerëzit të kuptojnë se askush nuk duhet të vdesë ose të lëndohet për shkak të targave.” Por, pavarësisht se për çfarë shpresojmë, ne jemi duke punuar në të njëjtën kohë për çështjet e sigurisë dhe stabilitetit në Kosovë, si dhe në pjesën tjetër të rajonit. KFOR-i është prezent, EULEX-i është i pranishëm, ne kemi bashkëpunim shumë të ngushtë me të dyja qeveritë dhe po mundohemi t’i zgjidhim të gjitha çështjet e kontestuara, para se të krijohet një situatë që mund të eskalojë në konflikt. Dhe shpresoj se kjo nuk do të ndodhë”, shtoi ai.
Qeveria e Kosovës e ka shtyrë zbatimin e vendimeve për në fillim të shtatorit, pasi serbët lokalë në veri, më 31 korrik, u revoltuan dhe vendosën barrikada në rrugë.
Më pas, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më 18 gusht u takuan në Bruksel, për të gjetur një zgjidhje në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, por nuk u arrit rezultat konkret./21Media

Back to top button