Escobar e Lajçak: E ardhmja e Kosovës dhe Serbisë është në BE

I dërguari special i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe i dërguari special i Bashkimit Evropian për dialogun Prishtinë – Beograd, Miroslav Lajçak, kanë thënë se e ardhmja e Kosovës dhe Serbia është në BE, por pas normalizimit të marrëdhënieve.
Escobari ka thënë se duhet të largohet narrativa se Kosova është Serbi, pasi thotë se të dyja janë Evropë.
“Mendoj se duhet të largohemi nga narrativa se Kosova është Serbi dhe të shkojmë drejt narrativës se Kosova dhe Serbia janë Evropë. Dhe kështu, ju keni një të ardhme të përbashkët që po largohet me shpejtësi nga problemet e viteve ’90 dhe po shkon shpejt drejt mundësive të shekullit të 21-të”, u shpreh Escobar për Kurir.
Ai beson se Ballkani Perëndimor është i aftë të jetë shtytës i zhvillimit ekonomik dhe se duhet të fokusohet në të për të ecur përpara.
Lajçak ka thënë se rruga drejt BE-së për të dyja palët është përmes dialogut dhe se “një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin është e nevojshme sepse ” ‘status quo’ nuk është e qëndrueshme”.
“Është shumë e rëndësishme që të kalojmë përtej fazës aktuale ku po flasim pothuajse çdo ditë me dy liderët vetëm për të shmangur tensionet më të mëdha dhe të fillojmë të flasim më shumë për tablonë më të madhe”, ka thënë ai, shkruan Danas.
Ai tutje ka thënë se pa normalizim të marrëdhënieve nuk do të ketë anëtarësim në BE.
“Duhet një marrëveshje sa më shpejt të jetë e mundur dhe se i takon të dyja palëve të bien dakord se çfarë përbën një kompromis për to”, deklaroi Lajçak.
Takimi i fundit i kryeministrit Kurti dhe presidentit serb, Vuçiq ka qenë më 18 gusht në Bruksel. Aty kreu qeveritar ka thënë se ka prezantuar kapitujt për marrëveshjen finale me njohjen reciproke në qendër.
Kosova dhe Serbia javë më parë u pajtuan për marrëveshjen për dokumente, ku pala serbe vendosi të mos lëshojë dokumente shtesë për qytetarët kosovarë që hynë në Serbi, derisa institucionet e Kosovës u pajtuan të shfuqizojnë vendimin për reciprocitet.
Ndërkohë, po vazhdon vendimi i Qeverisë së Kosovës për targat ilegale dhe rikthim të tyre në RKS.

Back to top button