Chollet dhe Escobar: S’do të ketë Republika Sërbska në Kosovë
(Lajm i përditësuar)
Këshilltari i lartë në Departamentin Amerikan të Shtetit, Derek Chollet dhe emisari për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar kanë theksuar se nuk do të pranojnë krijimin e një “Republika Sërbska” në Kosovë.
Duke folur para anëtarëve të Komitetit për Jashtë në Senatin e SHBA-së në lidhje me situatën në Ballkanin Perëndimor, Chollet tha qëllimi i Asociacionit është që serbët në veri të Kosovës mos të jenë të varur dhe lidhur nga Serbia, por të fokusohen në arsimim, kujdes shëndetësor dhe të tjera në Kosovë.
Ai tha se ndërmjetësuesit e dialogut Kosovë-Serbi kanë propozuar disa modele ku pakicat në BE kanë një shkallë të kontrollit lokal. Megjithatë, Chollet theksoi se lidershipi në Kosovë tani duhet të tregojë si mund të duket Asociacioni dhe të jetë i pranueshëm për ta.
“Asociacioni është një zotim ndërkombëtar që është futur në marrëveshjen e Brukselit në vitin 2013. Në pikëpamjen tonë kjo është në pajtim me vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe dëshirojmë që gjithë qytetarët e Kosovës të marrin të njëjtat shërbime. Qëllimi është që serbët në veriun e Kosovës mos të jenë të varur nga Beogradi, por të fokusohen në arsimim, kujdes shëndetësor, zhvillim ekonomik. Kemi qenë të qartë se nuk do të pranojmë dhe nuk e përkrahim asgjë që përngjan “Republika Sërbska” në çfarëdo mënyre. Bashkësia Evropiane ka përmendur më shumë se gjashtë shembuj brenda BE-së, si në Itali të Veriut, Zvicër, Finlandë në vende ku ka popullata pakicë që kanë një shkallë të kontrollit lokal. Zotëri Escobar dhe unë kemi dalë në medie kosovare se çka është ky asociacion dhe çka nuk është. Tani lidershipi në Kosovë e përdorin këtë argument për të treguar se si mund të duket Asociacioni dhe si do të ishte i pranueshëm për ta”, tha ai.
Përkitazi me këtë, u shpreh edhe emisari i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i cili tha se modelet evropiane për Asociacionin nuk e shkelin sovranitetin apo kushtetutshmërinë e Kosovës.
“E kemi thënë se Asociacioni është obligim i marrë nga Kosova me marrëveshjen e Brukselit. Por, e kemi përsëritur vazhdimisht se do ta ndihmojmë Kosovën që ta formojë atë sipas një modeli evropian e që nuk shkel sovranitetin apo Kushtetutën e saj apo funksionalitetin. Siç e shohim ne, Asociacioni është rrugë për katër komunat apo komuna tjera që duan t’i bashkohen, që të marrin shërbime komunale për popullatën shumicë serbe në gjuhën serbe. Ne duam të përdorim Asociacionin për të ndaluar atë që po bën Serbia në veri të Kosovës, e të vendoset ajo pjesë brenda strukturës së Kosovës, të kontrollohet nga ligjet e Kosovës. Nuk e shoh si koncesion për Serbinë, por si mënyrë që Kosova të akomodojë qytetarët që jetojnë në atë pjesë të Kosovës, e që janë qytetarë të Kosovës”, deklaroi ai.
Duke folur për zbatimin e marrëveshjes bazë Kosovë-Serbi të arritur me 27 shkurt në Bruksel dhe aneksit të tij, Chollet tha se ka ngecje në implementimin e tyre, por shtoi se duhet guxim politik për zbatim të ujdisë.
“Kosova është shtet i pavarur, sovran dhe demokratik. Është ndër aleatët më të afërt dhe gjithmonë performon mbi madhësisë së saj. Ne e përkrahim integrimin e saj në institucionet ndërkombëtare, përfshirë edhe Kombet e Bashkuara dhe presim që Kosova të afrohet me NATO-n dhe BE-në dhe dikur edhe të bashkohet në këto institucione. Mirëpo, aspirata evropiane si të Kosovës dhe Serbisë nuk kanë me ndodhur derisa t’i zgjidhin dallimet mes tyre. Për këtë ne e përkrahim dialogun që fasilitohet nga BE-ja….Duhet shumë punë, guxim politik e ne vazhdojmë t’i inkurajojmë të dyja palët që t’i përmbushin zotimet. Përderisa ne përkrahim Kosovën, po ashtu duam t’i thellojmë raportet me Serbinë. Dëshiroj me theksuar se këtë e bëjmë me sy hapur, pasi Serbia ka sfida me korrupsion dhe të tjera”, tha ai.
Mirëpo, në anën tjetër, kryesuesi i Komitetit për Jashtë në Senatin e SHBA-së, Bob Menendez, tha se Kosovës vazhdimisht po i bëhet presion për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ndërsa ndaj Serbisë dhe presidentit Aleksandër Vuçiq, nuk po bëhet fare presion.
“Në shkurt u arrit një marrëveshje mes Kosovës e Serbisë me ndihmën e Brukselit. Menjëherë pas kësaj presidenti Vuçiq bëri deklarata publike, duke mos u pajtuar me përmbajtjen e marrëveshjes dhe refuzoi ta nënshkruante, pasi nuk e njeh pavarësinë e Kosovës…Me kontrollin e mediave dhe shtypjen e shoqërisë civile, Vuçiqi vazhdon të ndjekë narrativën e serbëve nacionalist, duke treguar për vizionin e ‘Serbisë së madhe’, ngjashëm si Putini për ‘Rusinë e madhe’. Ai se ka fshehur lidhjen me Putinin. Ka udhëtuar në Moskë për tregti, refuzoi të vendoste sanksione ndaj Rusisë. Duam të shohim nga dëshmitarët cili është plani për të ecur para. Shoh se shumica e presionit i bëhet Kosovës për Asociacionin, që e pranoj se Kosova e ka pranuar këtë marrëveshje më herët. Por, më duket se nuk ka fare presion ndaj Beogradit, apo plan apo garanci se Asociacioni s’do të jetë një Republika Sërpska tjetër. Po shoh pak presion ndaj liderit të cilin New York Times e portretizoi për lidhjet me botën e krimit të organizuar në Serbi”, tha ai.
Escobar nga Senati: Asociacioni nuk e prek kushtetutshmërinë e Kosovës
Këshilltari i lartë në Departamentin Amerikan të Shtetit, Derek Chollet dhe emisari për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, kanë raportuar para anëtarëve të Komitetit për Jashtë në Senatin e SHBA-së në lidhje me situatën në Ballkanin Perëndimor.
Kryetari i këtij komiteti, demokrati Robert Menendez, duke u ndalur te Kosova, më saktësisht te çështja e Asociacionit me shumicë serbe, ka pyetur nëse ka garanci që kjo nuk do të shndërrohet në Republikë serbe brenda Kosovës.
Emisari Escobar tha se Asociacioni do të formohet sipas një modeli evropian që nuk shkel sovranitetin, kushtetutshmërinë dhe funksionalitetin e shtetit të Kosovës.
“Ne duam të përdorim Asociacionin për të ndaluar atë që po bën Serbia në veri të Kosovës, e të vendoset ajo pjesë brenda strukturës së Kosovës, të kontrollohet nga ligjet e Kosovës. Nuk e shoh si koncesion për Serbinë, por si mënyrë që Kosova të akomodojë qytetarët që jetojnë në atë pjesë të Kosovës, e që janë qytetarë të Kosovës”, tha Escobar.
Këshilltari i Departamentit të Shtetit të SHBA-së, Derek Chollet, deklaroi se Kosova është shtet i pavarur, sovran dhe demokratik dhe një ndër aleatët më të afërt të Shteteve të Bashkuara.
“Duhet shumë punë, guxim politik e ne vazhdojmë t’i inkurajojmë të dyja palët që t’i përmbushin zotimet. Përderisa ne përkrahim Kosovën, po ashtu duam t’i thellojmë raportet me Serbinë”, ka thënë ai duke bërë të ditur se për raportet me Serbinë funksionojnë “me sy hapur, pasi Serbia ka sfidë me korrupsionin e të tjera”, tha ai.