“Është ditë e mbarë”, thotë Lumir Abdixhiku pasi votoi

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku pas votimit të tij, uroi që qytetarët e Republikës së Kosovës të largohen nga zymtësia, bllokada e përçarja dhe të zgjedhin për zhvillim, stabilitet e për të ardhme euroatlantike të Kosovës.

Abdixhiku pas votimit në shkollën “Faik Konica” në Prishtinë, tha se kjo ditë përcakton fatin e katër viteve të ardhshme të qytetarëve të Kosovës.

“Uroj të gjithë qytetarët e Kosovës për këtë ditë në të cilën vendimmarrja i kthehet sovranit të qytetarit, është ditë e mirë e mbarë dhe le të shpresojmë se në vazhdimësi i gjithë procesi i votimit të shkoj mbarë e mirë. Uroj që qytetarët e Kosovës në këtë ditë të rëndësishme që përcakton fatin e katër viteve të ardhshme të tyre, të zgjedhin për zhvillim stabilitet për të ardhme euroatlantike të Kosovës dhe të largohemi nga zymtësia, bllokada dhe përçarja që na ka shoqëruar në këto vite. Le të fitoj populli i Kosovës, siç di të fitoj në ditën e zgjedhjeve”, tha Abdixhiku.

Në shkollën “Faik Konica” në Prishtinë të drejtë vote kanë 5 mijë e 273 qytetarë. Deri në orën 9:00 në këtë qendër votimi kanë votuar vetëm 133 qytetarë.

Ndërsa në Prishtinë numri i votuesve në listën e votuesve është 219 mijë e 516 qytetarë, ndërkohë deri në ora 9:00 në këtë komunë kanë votuar 8 mijë e 23 qytetarë.

Back to top button