“Është hera e parë që Kosova prezantohet me shumë ngjyra në Bienalen e Artit në Venedik”
Sot në orën 16:30 do të hapet pavijoni i Kosovës në Bienalen e Artit në Venedik. Kosova do të jetë pjesëmarrëse për herë të pestë në Ekspozitën e 59-të Ndërkombëtare të Artit – La Biennale di Venezia me ekspozitën e Jakup Ferrit.
Komisionerja e pavijonit të Kosovës, Alisa Gojani sot në emisionin “Për Ditë të Mbarë” të RTV21 tha se sivjet është hera e parë që Kosova prezantohet me shumë ngjyra.
Ajo tregoi se pavijoni i Kosovës është afër me pavijonin e Ukrainës, me ç’rast tha se dy pavijonet kanë kontraste mes vete.
“Ata temën e aknë të lidhur me atë çka po ndodh sot në botë, me realitetin faktikisht. Kurse, kur hyn brenda te Kosova, Kosova mas 22 vjete të një realiteti që po e përjeton Ukraina sot, na dërgon dikun tjetër, Jakupi na tregon çka bota kërkon në të ardhmen, do të thotë paqe, jo luftë”, tha Gojani, shkruan rtv21.tv
Ajo u shpreh se në pavijon Jakup Ferri prezantohet me tri cikle të ndryshme.
Komisionerja e pavijonit të Kosovës, Alisa Gojani në “Për Ditë të Mbarë” solli pamje ekskluzive të pavijonit të Kosovës në Bienalen e Artit në Venedik.
Pavijoni i Kosovës do të kurohet nga Inke Arns. Jakup Ferri do të prezantohet me projektin “The Monumentality of the Everday”./21Media