EULEX kërkon që serbët të integrohen në Polici dhe Gjyqësor

Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) mirëpret uljen e tensioneve në pjesën veriore të Kosovës dhe rivendosjen e lirisë së lëvizjes për të gjithë ata që jetojnë dhe punojnë në katër komunat veriore pas heqjes së barrikadave ilegale.
EULEX përmes një komunikatë thotë se vakumi i sigurisë dhe i sundimit të ligjit i krijuar pas dorëheqjeve të policëve, prokurorëve, gjyqtarëve dhe personelit mbështetës serb të Kosovës vazhdon.
“EULEX-i mund ta plotësojë këtë vakum vetëm pjesërisht përmes pranisë së shtuar në terren, por Misioni nuk mund ta zëvendësojë Policinë e Kosovës apo ndonjë autoritet tjetër të sundimit të ligjit. Prandaj, kthimi në marrëveshjet përkatëse të Dialogut që e rregullojnë integrimin në Policinë e Kosovës dhe në gjyqësor është esencial. “, thuhet në komunikatë.
Më tej EULEX zotohet se brenda kufijve të mandatit të tij, do të vazhdojë të punojë me vendosmëri për ta mbështetur stabilitetin e Kosovës, si dhe sigurinë e të gjitha komuniteteve të saj.
“Për këtë qëllim, EULEX-i do t’i monitorojë nga afër hetimet përkatëse dhe çdo procedurë ligjore të mëvonshme për ta promovuar respektimin e të drejtave të njeriut. Në këtë aspekt dhe që gjyqësori dhe policia e Kosovës ta mbështesin sundimin e ligjit dhe t’i ushtrojnë përgjegjësitë e tyre në mënyrë të pavarur sipas ligjit të Kosovës dhe të drejtës ndërkombëtare pa ndërhyrje apo frikësime politike apo të formave të tjera, është me rëndësi jetike që vendimet që merren nga gjyqtarë dhe prokurorë individualë, si dhe nga policia, në emër të institucioneve të tyre të kundërshtohen vetëm në aspektin e bazës së meritave ligjore të këtyre vendimeve. “, thuhet në komunikatë./21Media