Eurodeputetët thirrje pesëshes së BE-së: Njihni Kosovën!

jatë seancës së Parlamentit Evropian ku u diskutua për raportin për Kosovën për vitin 2022, disa eurodeputetë kanë bërë thirrje pesë vendeve mosnjohëse të Bashkimit Evropian që të njohin pavarësinë e Kosovës. Sipas tyre, Spanja, Qipro, Rumania, Greqia dhe Sllovakia duke refuzuar njohjen për arsye të brendshme po e inkurajojnë Serbinë në përpjekjet për destabilizim si dhe një konflikt të mundshëm në rajon.

Deputeti austriak Thomas Waitz u ndal edhe te marrëveshjet e fundit që janë refuzuar të nënshkruhen nga presidenti serb Aleksandër Vuçiq. Ai deklaroi se një marrëveshje e panënshkruar është një marrëveshje e pasuksesshme.

“Një marrëveshje që nuk është nënshkruar nuk është as një marrëveshje e suksesshme dhe as e detyrueshme. Presidenti Vuçiq refuzoi të nënshkruajë marrëveshjen e Ohrit dhe si reagim ndaj kësaj refuzoi ta nënshkruajë edhe kryeministri Kurti, dhe tashmë e shohim rezistencën dhe bllokimin e Serbisë kur është fjala për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Por dua gjithashtu të mbështes thirrjen e këtij raporti ndaj shteteve mos njohëse brenda Bashkimit Evropian, ndaj Spanjës, Rumanisë, Sllovakisë, Qipros, Maltës dhe Greqisë. Kosova është shtet i pavarur prej më shumë se 10 vitesh. Refuzimi juaj për të njohur bazohet vetëm në çështjet e brendshme. Kështu që unë ju bëj qartë thirrje që të mos e mbani bllokimin tuaj, ju vetëm po e inkurajoni Serbinë dhe rrjedhën e saj të konfliktit. Dhe nëse kjo nuk është ajo që dëshironi, më në fund njiheni Kosovën si shtet të pavarur që është”, deklaroi ai.

Deputeti spanjoll me prejardhje nga Katalonia, Carles Puigdemont, deklaroi se Spanja nuk e njeh Kosovën jo për arsye që lidhen me vet shtetin kosovar por për shkak të Katalonisë. Sipas tij, më e vështirë do të bëhet kur Spanja të marr drejtimin e Këshillit të BE-së.

“E ardhmja e Kosovës është njohja ndërkombëtare dhe Evropa. Përpjekjet që po bëhen nga shoqëria dhe institucionet e Kosovës meritojnë më shumë nga të dyja; më shumë njohje ndërkombëtare dhe më shumë Evropë. Fatkeqësisht, ka ende vende të BE-së që nuk e njohin Kosovën, disa prej tyre siç është Spanja nuk e njeh për arsye që nuk kanë të bëjnë me Kosovën, por me Katalonjën, ata nuk duan të njohin ligjshmërinë e një deklarate të njëanshme të Pavarësisë. Kjo është arsyeja pse Spanja është i vetmi vend në zonën Shengen që nuk do të zbatojë heqjen e vizave të miratuar nga BE. Së shpejti do të kemi një presidencë të Këshillit të BE-së që do të duhet të mbrojë një politikë për Kosovën, të cilën presidenti nuk e zbaton për veten e tij”, tha ai.

Ndërsa eurodeputeti nga Kroacia, Ladislav Iliçiç, kërkoi nga Bashkimi Evropian që të mos e ledhatojë Serbinë pasi shteti serb ende ka pretendime territoriale ndaj Kosovës.

Ai u shpreh se Serbia vazhdon të shkaktojë destabilitet, ndërsa Kosova është shtet i pavarur që ka nevojë dhe meriton të gjithë mbështetjen e Bashkimi Evropian.

“Pavarësisht se e humbi luftën, Serbia ende dëshiron territorin e Kosovës, dhe ende dëshiron t’i mbajë në minimum të drejtat e shqiptarëve. Dhe në vend që të përpiqet të ketë bashkëjetesë paqësore në veri, Serbia vazhdon të shkaktojë destabilitet, Kosova është shtet i pavarur, është në pozitë të vështirë dhe meriton të gjithë mbështetjen tonë. Fatkeqësisht, disa eurodeputetë preferojnë një agjendë ideologjike. Pra, për t’i thënë Kosovës nëse doni të anëtarësoheni në BE legalizoni martesat e të njëjtës gjini, dhe zbatoni Konventën e Stambollit. Tani absurdi më i madh është kur për shembull socialistët spanjollë e kërkojnë këtë nga Kosova, ku ata po formojnë qeverinë spanjolle, e cila nuk dëshiron ta njohë Kosovën. Tani duhet të pyesim veten, si mund t’i parashtroni kërkesat përpara një qeverie që besoni se nuk ka legjitimitet? Bashkimi Evropian në rastin e Kosovës duhet të tregojë një besueshmëri më të madhe dhe të ndalojë së kënaquri Serbinë. Kosova duhet të njihet nga të gjitha shtetet anëtare, dhe institucionet evropiane duhet të ndalojnë ndërhyrjen në çështjet jashtë juridiksionit të tyre”, deklaroi Iliçiç.

Gjatë seancës për raportin e Kosovës për vitin e kaluar foli edhe raportuesja për Kosovën, Viola von Cramon si dhe Komisioneri për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi.

Von Cramon: Pesë vendet mosnjohëse të BE-së duhet ta ndryshojnë qasjen ndaj Kosovës

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon ka thënë se janë arritur rezultate të rëndësishme në fushën e luftimit kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në gjithë vendin. Sipas saj, Kosova po vazhdon të dëshmojë kapacitetet e saj demokratike. Këto i tha në seancën ku u diskutua për raportin për Kosovën për vitin 2022.

Eurodeputetja ka shtuar se raporti shqyrton reformat dhe arritjet e Kosovës, ku Evropa më në fund po i hap dyert dhe qytetarët do të kenë mundësi që të udhëtojnë pa kërkesa për vizë.

“Fjalimin për raportet e Kosovës e mbaja çdo vit që nga viti 2019, duke shpresuar se më në fund mund të them, ‘gëzuar lirinë e lëvizjes’, kjo nuk është më kërkesë apo shpresë, është realitet, që nga janari i vitit të ardhshëm qytetarët e Kosovës do të mund të udhëtojnë nëpër Evropë pa asnjë kërkesë për vizë, letra ftese, procedura të kushtueshme, apo duke pritur në radhë, Evropa më në fund po i hap dyert. Viti i kaluar ishte një vit sfidues për të gjithë. Ndërsa pamë tmerret e luftës që po kthehej në Evropë, Qeveria e Kosovës, duke i ditur mirë këto tmerre, demonstroi solidaritet të plotë me Ukrainën, duke u rreshtuar me sanksionet e BE-së dhe madje duke mirëpritur gazetarë ukrainas, për çka dëshiroj t’i falënderoj thellësisht”, ka thënë Cramon.

Tutje, Von Cramon ka theksuar se raporti nënvizon sukseset dhe hapat që duhet të ndërmerren në fushën e demokracisë.

“Raporti ynë prek vetëm sipërfaqen e sfidave dhe çështjeve që e presin Kosovën, por qartësisht nënvizon sukseset dhe çfarë duhet të ndërmerret në fushën e demokracisë, luftës kundër korrupsionit, krimit të organizuar, energjisë dhe mjedisit. Kështu që unë do të përshkruaj vetëm tre procese kryesore, sundimin e ligjit, lirinë e mediave, dialogun e lehtësuar nga BE, dhe tranzicionin energjetik. Kosova vazhdon të dëshmojë kapacitetet e saj demokratike duke pasur një peizazh politik pluralist, i cili demonstrohet me zgjedhje të lira dhe të ndershme. Peizazhi mediatik është gjithashtu i devijuar në krahasim me shtetet e tjera në rajon, por megjithatë është e rëndësishme që gazetarët mbeten të pavarur. Janë arritur rezultate të rëndësishme në fushën e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në mbarë Kosovën”, ka shtuar Cramon.

Von Cramon deklaroi se pesë vendet mosnjohëse të Bashkimit Evropian duhet të ndryshojnë qasjen ndaj Kosovës në mënyrë që të ketë stabilitet afatgjatë në Ballkanin Perëndimor.

“Është e rëndësishme që të vazhdojmë të ushtrojmë presion mbi Spanjën, Qipron, Rumaninë, Sllovakinë, sepse për stabilitetin në kontinentin tonë do të jetë e rëndësishme se si do të sillemi përballë fqinjëve tanë edhe në Ballkanin Perëndimor, dhe ajo që është e rëndësishme është që të shikojmë historinë tonë, dhe nëse shikojmë historinë e dimë që mund ta them këtë si gjermane, sepse duhet të bëjmë shumë kërkime në historinë tonë. Dhe është e rëndësishme që ne ta bëjmë këtë punë, në mënyrë që të arrijmë stabilitet”, ka vijuar Cramon.

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon ka shtuar se ka nevojë për mbështetje të sektorit privat dhe të rinjtë të kenë perspektivë.

Pasdite, eurodeputetja Von Cramon do të mbajë konferencë për media në lidhje me raportin e Komisionit për Kosovën.

Back to top button