Eurodeputeti Reuten për çështjen Kosovë-Serbi: Bashkimi Evropian ka pasur qasje të pabalancuar

Eurodeputeti holandez, Thijs Reuten rikonfirmoi mbështetjen e tij për rrugën e anëtarësimit të Kosovës në Bashkimin Europian.
Reuten për A2 CNN deklaroi se nuk ka asnjë justifikim që aplikimi i Kosovës të mbetet kaq gjatë në sirtar.
“Një nga hapat e rëndësishëm është që aplikimi i Kosovës për anëtarësim më në fund të vihet në proces. Nuk e përballoj dot faktin që ka mbetur në sirtar kaq gjatë. Nuk ka absolutisht asnjë arsye për këtë. Ne mund ta vazhdojmë procesin, pavarësisht se disa shtete anëtare të BE-së ende nuk e njohin Kosovën. Kjo është e vërtetë, por megjithatë mund të ecim përpara me shqyrtimin e aplikimit për anëtarësim”, u shpreh ai.
Lidhur me heqjen e masave ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës, Eurodeputeti Reuten u shpreh optimist, duke përmendur edhe komunat veriore në të cilat pritet të kthehen kryetarët serbë.
“Tani që zgjedhjet lokale kanë përfunduar, së pari duhet të hiqen masat ndaj Kosovës. Sipas meje, ato s’duhej të ishin vendosur fare dhe duhej të ishin hequr prej kohësh. Por tani që shumë shpejt do të kemi kryetarë të rinj komunash që marrin detyrën në komunat përkatëse, mendoj se ky është momenti që Komisioni dhe vendet anëtare t’i heqin sanksionet”, deklaroi ai.
Reuten mendon se dialogu nuk duhet të kthehet në pengesë për avancimin e aplikimit të Kosovës në Bashkimin Europian, duke i kërkuar ndërmjetësuesit të këtij procesi të jetë i barabartë.
“Bashkimi Evropian duhet të jetë strikt dhe i barabartë në qasjen ndaj të dy vendeve, gjë që s’ka ndodhur. Ka pasur një qasje të pabalancuar. Megjithatë, ajo që na duhet nga të gjithë, edhe nga pala e Kosovës, është ta mbyllim këtë kapitull dhe të angazhohemi realisht për të bërë hapa përpara. Por që kjo të ndodhë, BE-ja duhet të jetë e qartë për atë që kërkon nga ky proces dhe të mos e lidhë kaq ngushtë me progresin në rrugën e anëtarësimit”, shprehet Thijs Reuten./21Media