“‘Europa Nostra’ po ndikohet nga Serbia”, Çeku i ashpër edhe me Von Cramonin

Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku deklaroi sot se organizata “Europa Nostra” ka humbur kredibilitetin pasi po ndikohet nga politikat serbe. Kjo pasi e njëjta organizatë e ka përfshirë Manastirin e Deçanit në mesin e 7 monumenteve më të rrezikuara. Çeku, në një konferencë për media kërkoi sqarime edhe nga raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, për një postim në rrjete sociale që ka përfshirë Manastirin e Deçanit dhe shkatërrimin e monumenteve të kulturës në Ukrainë nga Rusia.
Organizata Evropiane e Trashëgimisë Kulturore “Europa Nostra” nuk ka ndryshuar qëndrimin e një viti më parë rreth Manastirit të Deçanit pasi edhe në raportin e publikuar ditë më parë e ka cilësuar manastirin si “monument i rrezikuar”, pavarësisht kundërshtimit të autoriteteve qendrore e lokale dhe vizitës së tyre në Prishtinë.
Megjithatë, ministri Çeku u shpreh se vizita e organizatës “Europa Nostra” është e vonuar dhe e pakuptimtë, pasi sipas tij i është nënshtruar ndikimit politik serb. Sipas tij, në nominim si monument i rrezikuar ka qenë Kalaja e Novobërdës.
“Organizata ‘Europa Nostra’ ka humbur kredibilitetin pasi që i është nënshtruar ndikimit politik shtetit të Serbisë, në të njëjtën kohë ne kemi konstatuar dhe një hipokrizi të organizatës ‘Europa Nostra’ sepse vitin e kaluar e ka përfshirë Manastirin e Deçanit pa të drejtë dhe me ndikim politik nga Serbia në listën e 7 monumenteve më të rrezikuara, ndërsa vitin e kaluar një organizatë e trashëgimisë kulturore të Kosovës ‘Trashëgimia e Kosovës pa kufij’ ka dërguar një nominim tjetër në këtë listë e që ka qenë Kalaja e Novobërdës. E dini rastin e Kalasë së Novobërdës dhe shkatërrimet që janë bërë… Përveç që është e ndikuar nga Serbia kjo organizatë tashmë i shkel edhe parimet e profesionalizmit dhe objektivitetit dhe e refuzon një nominim si kalaja e Novobërdës”, tha Çeku.
Çeku ka hatërmbetje edhe me raportuesen e Kosovës në Parlamentin Evropian, Viol von Cramon.
Ajo ditë më parë postoi në Twitter një foto me sekretaren e organizatës “Europa Nostra” e për të cilën tha se kishte biseduar për nevojën për të përmirësuar mbrojtjen e trashëgimisë kulturore të rrezikuar në të gjithë Evropën, me fokus të veçantë Manastirin e Deçanit dhe shkatërrimin trashëgimisë kulturore në Ukrainë.
Përfshirja e Manastirit të Deçanit në të njëjtën fjali me monumentet e shkatërruara në Ukrainë nga agresioni rus nuk i ka pëlqyer Çekut që pati një pyetje.
“Ditëve të fundit ne kemi parë një publik nga znj. Viola Von Cramon, e cila është raportuesja e Parlamentit Evropian për Kosovën, në një takim të saj me zyrtarët e organizatës ‘Europa Nostra’, në tweet-in e publikuar, Manastiri i Deçanit dhe monumentet e shkatërruara në Ukrainë nga agresioni rus futen në një fjali. Ne duam të besojmë që ajo e ka bëre këtë gabim të paqëllimshëm, që nuk i ka informatat e sakta dhe e ka bërë ne mënyrë të ngutshme, megjithatë ajo duhet të na ofrojë një sqarim për këtë gabim që e ka bërë. E kemi një pyetje për znj. Von Cramon. A ka tërhequr ndonjë paralele mes neve dhe Rusisë kur në të njëjtën fjali i ka përfshirë Manastirin e Deçanit dhe monumentet e Ukrainës të cilat po shkatërrohen nga agresioni rus? Besoj që e meritojmë një sqarim dhe ajo duhet të na sqarojë se a tërheq paralele mes Kosovës dhe Rusisë në momentin kur këto monumente i fut në të njëjtën fjali”, vijoi Çeku.
Ministri i Kulturës njoftoi se Komisioni për dokumentimin e shkatërrimit të trashëgimisë kulturore ka hyrë në fazën finale të punës së tij dhe në vjeshtë pritet të publikojë draftin e parë të raportit për të nxjerrë shumë që Kosova do t’ia kërkojë Serbisë.
“Komisioni për dokumentimin e shkatërrimit të trashëgimisë kulturore të Kosovës gjatë luftës ne vitet 98/99 tashmë ka hyrë në fazën finale të punës së tij si komision. Databaza e cila është duke u populluar në monumentet e shkatërruara nga forcat serbe gjatë luftës tashmë ka kaluar numrin 1000 të monumenteve të shkatërruara në mënyrë të qëllimshme nga Serbia. Komisioni po punon me dinamikë të shtuar për prodhuar draftin e parë të raportit në vjeshtë dhe për të nxjerrë koston apo faturën e dëmshpërblimit të cilën ne do të ja përcëllim Serbisë. Në të njëjtën kohë në raport me këto akte fakte kemi nisur edhe fushatën publike për kthimin e tyre të grabitura nga Serbia dhe arte fakte të 1247 artefakte, eksponata arkeologjike dhe etnografike të Kosovës që mban padrejtësisht në muze të Beogradit do të jenë pjesë e raportit final te Komisionit shtetëror të Kosovës për shkatërrimit e trashëgimisë kulturore gjatë luftës”, shtoi ai.

Back to top button