Familja e Izet Demajt kërkon të ndalet mbledhja e fondeve

Familja Demaj falënderon ata që kontribuan

Familja e policit të vrarë në detyrë, Izet Demaj, ka njoftuar sot se dëshiron t’i ndalojnë të gjitha ndihmat financiare që po u vijnë nga kompanitë dhe çdo kush tjetër.

Ata kanë njoftuar se janë nën përkujdesjen e institucioneve të shtetit, ndërsa kanë kërkuar po ashtu ndaljen e grumbullimit të mjeteve financiare nga Ipko dhe Vala.

“Familja e policit të vrarë në detyrë, Izet Demaj, duke i konsideruar qëllimmirë dhe duke qenë mirënjohëse dhe falënderuese, ndaj bizneseve dhe personave që kanë kontribuar, në emër të bashkëshortes së Izetit, vëllezërve dhe familjes së ngushtë, kërkojmë nga dy kompanitë komunikuese, Ipko dhe Vala, të ndërpresin aksionet për grumbullimin e mjeteve financiare. Familja e Izet Demaj është nën përkujdesjen e institucioneve të Republikës së Kosovës, andaj prej këtij momenti çdo iniciativë për ndihmë financiare nuk mund të bëhet pa pëlqimin e familjes së Izet Demajt.Familja Demaj shpreh edhe një herë mirënjohje dhe falënderim për të gjithë”, thuhet në njoftimin e familjes.

Polici 42-vjeçar ka mbetur i vrarë më 27 dhjetor, pas një shkëmbimi me armë me grabitësin, Kamer Metaj, i cili gjithashtu ka mbetur i vrarë në vend.

Izet Demaj pas vetës la gruan dhe dy vajza./21Media

Back to top button