“Familja jonë po rritet çdo ditë”, fjalët prekëse të Bekim Jasharit për fejesën e Hamëzës së ri

Në një ditë me simbolikë të veçantë për familjen Jashari, fejesa e Hamëz Jasharit të ri është shndërruar në një moment të thellë emocionesh, kujtese dhe vazhdimësie.

Përmes një postimi prekës, Bekim Jashari ka ndarë me publikun ndjenjat e tij për këtë ngjarje të rëndësishme familjare, duke e lidhur gëzimin personal me historinë dhe sakrificën e familjes Jashari.

“Në ditën që shënon triumfin e dytë të familjes sonë, pas ballafaqimit për ruajtjen e pragut të shtëpisë dhe dhënien e kushtrimit se armiku i ka ditët e numëruara në këtë tokë, që siç thoshte babushi, ‘veç këmbën e shqiptarit e duron’, familja jonë po rritet dhe po begatohet çdo ditë”, ka shkruar Jashari.

Ai ka bërë të ditur se Hamëza, i cili mban me krenari emrin e babushit, është fejuar me Enesa Imerin, në Kosovën e lirë një Kosovë që, siç thekson ai, është ndërtuar mbi themele të forta, themele të derdhura nga gjaku i të rinjve dëshmorë që sakrifikuan për liri.

Postimi i Bekim Jasharit shkon përtej një urimi familjar, duke rikthyer në kujtesë figurat e mëdha të familjes: babën Shaban, Kryekomandantin Adem Jashari dhe Hamëz Jasharin, për të cilët thuhet se betejën për liri e kthyen në një dasmë përjetësie.

“Edhe në mes të betejës tre-ditore, kënga nuk pushoi kurrë”, shkruan ai, duke nënvizuar shpirtin e pathyeshëm të familjes dhe lidhjen e fortë mes sakrificës dhe jetës.

Back to top button