“Fatura që po e ngulfat jetën”, vendoset para Ministrisë së Ekonomisë

Rinia e Partisë Demokratike të Kosovës ka mbajtur sot një aksion simbolik para Ministrisë së Ekonomisë, në shenjë kundërshtimi ndaj paralajmërimeve për rritjen e çmimit të energjisë elektrike, mungesës së saj dhe faturave të larta.

Gjatë aksionit, në mënyrë simbolike ata lanë para objektit të ministrisë një faturë të përmasave të mëdha, e cila paraqet realitetin e jetës së një qytetari në vend.

Kryetari i RDK-së, Trim Syla, theksoi se ky aksion është një thirrje për përgjegjësi dhe ndalje të goditjes së drejtpërdrejtë ndaj qytetarëve.

“Sot s’kemi ardhë me pankarta. Kemi ardhë me një faturë. Një faturë që po e ngulfat jetën e qytetarëve çdo muaj. Një familje në Kosovë, me 1000 euro të ardhura mujore, ka 1085 euro shpenzime bazike. Pa luks, pa pushime, pa kursime. Vetëm bukë, vetëm rrymë, vetëm ngrohje, vetëm qira, ilaçe dhe shkollë për fëmijët. Minus 85 euro çdo muaj. Çdo muaj fillon me borxhe. Çdo muaj mbyllet me frikë”, tha Syla.

Sipas Sylës, rritja prej 21 përqind e çmimit të energjisë elektrike nuk është reforme por goditje ndaj familjeve kosovare.

“Paramendojeni sa e vështirë është jeta për ta. E lëre më për një familje që ka vetëm një anëtar të punësuar. Aty nuk flasim më për vështirësi. Aty flasim për mbijetesë. Shkaku kryesor? Rryma. 175 euro faturë mujore për energji elektrike. Rritja prej 21 përqind e çmimit të energjisë elektrike nuk është reformë. Është goditje direkte ndaj familjes. Është shtytje drejt varfërisë”, shtoi Kryetari i Rinisë Demokratike në Prishtinë.

Ai shtoi se qytetarët jo vetëm që po varfërohen, ata po vidhen. Sepse, sipas tij, kur rritet rryma, buka, transporti, rritet gjithçka përveç pagës.

Syla tha se energjia është nevojë bazike e jo luks.

“Energjia nuk është luks. Është nevojë bazike. Sot, kjo faturë do të qëndrojë këtu derisa dikush të marrë përgjegjësi. Sepse Kosova nuk mund të qeveriset duke e ftohur shtëpinë e qytetarit, për ta ngrohur propagandën e Albin Kurtit”, ka përfunduar Syla.

Rinia Demokratike e Kosovës kërkon ndaljen e rritjes së çmimit të energjisë elektrike, transparencë në menaxhimin e sektorit energjetik dhe politika që mbrojnë qytetarët.

Back to top button